Verën e shkuar e gjithë bota u mor me transferimin e Pol Pogbasë nga Juventusi te Mançester Junajtid, sepse u kalua shifra e 100 milionë eurove për një futbollist, rekord i gjithë kohërave.

Megjithatë, mesfushori francez nuk ka shkëlqyer në Mançester dhe trajneri Zhoze Murinjo e ka të qartë arsyen: çmimi i paguar për të e ka vendosur në presion të jashtëzakonshëm.

“Mendoj se problemi është etiketa, çmimi i vendosur në shpinën e tij. Uroj që këtë verë të thuhet rekordi i shifrës së paguar për të dhe në këtë mënyrë presioni do të kalojë te futbollisti i radhës. Nëse Pogba kushtonte 50 milionë euro, të gjithë do të mahniteshin dhe do të thoshin “çfarë blerjeje!”. Problemi është se të gjithë presin paraqitje vetëm bazuar te çmimi i paguar dhe shpesh kjo bën që analizat të mos jenë të ndershme”.

Për Murinjon, Pogba ka qenë i shkëlqyer këtë sezon: “Ai ka luajtur ndeshje shumë të mira, ka sakrifikuar shumë për skuadrën. Shihni, për shembull, ndeshjen në Rostov, ku ai ishte mahnitës për atë që bëri për skuadrën. Ka pasur edhe ndeshje mesatare, por ato lidhen me paraqitjen e gjithë skuadrës. Kur skuadra ka qenë e shkëlqyer, edhe Pogba ka qenë i shkëlqyer”.

Share: