Albert Bunjaki ka dalë sot para medieve për të folur për ndeshjet me Ukrainën dhe Islandën, teksa trajneri i Kosovës ka premtuar se skuadra e tij do të bëjë më të mirën.

“Ukraina është një kombëtare shumë e fortë, që pas Italisë është ndoshta skuadra më e përgatitur fizikisht. Ne kemi pasur një paraqitje shumë të mirë kundër tyre në ndeshjen e parë. I dimë cilësitë dhe kapacitet e Ukrainës, por ne do të japim maksimumin”, thotë fillimisht Bunjaki, që më pas evidenton problematikën që lidhet me përgatitjet.

“Edhe këtë herë ballafaqohemi me probleme të njëjta të udhëtimeve të shumta, pasi dy stërvitjet e para i zhvillojmë në Mitrovicë dhe më pas udhëtojmë në Shkodër, por tashmë jemi mësuar edhe me këtë ritëm. Sidoqoftë, shpresoj se në kualifikimet e ardhshme stadiumi i Prishtinës do të jetë i gatshëm dhe nuk do të ketë telashe të këtilla”.

Në lidhje me objektivin në këto dy ndeshje, Bunjaki deklaron: “Si Ukraina, ashtu edhe Islanda e dinë peshën e këtyre ndeshjeve, sepse barazimi nuk iu mjafton. Kjo do të thotë se ata do të hyjnë për fitore patjetër. Mendoj se ndeshja me Ukrainën do të jetë më e hapur se sa ajo me Islandën, por duke u bazuar edhe në lojën e parë që kemi luajtur me Ukrainën, besoj se është një kundërshtar që mund të na përshtatet. Gjithsesi, duhet të kemi kujdes sepse është kundërshtar shumë i rrezikshëm, pasi lojtarët e saj vrapojnë shumë. Mendoj se fillimi i ndeshjes është shumë i rëndësishëm, pasi nëse nuk pësojmë gol në pjesën e parë e kemi dëshmuar edhe në ndeshjet e kaluara që më pas luajmë shumë më mirë dhe mund të ndodhë gjithçka”.

Enis Alushi, Herolind Shala, Benjamin Kololli e Arbër Zeneli nuk janë grumbulluar për shkak dëmtimesh, ndërkohë që Valon e Bernard Berisha janë të pezulluar me kartonë.


LISTA E KOSOVËS PËR NDESHJET ME UKRAINËN DHE ISLANDËN

Portierë: Samir Ujkani (Cremonese), Visar Bekaj (Prishtina), Bledar Hajdini (Trepça’89)

Mbrojtës: Amir Rrahmani (Dinamo Z.), Bajram Jashanica (Skënderbeu), Mërgim Vojvoda (Mouscron), Alban Pnishi (Grasshoper), Ardin Dallku (Vorskla), Fidan Aliti (Skënderbeu), Leart Paqarada (Sandhausen), Lirim Kastrati (Roma)

Mesfushorë: Hekuran Kryeziu (Luzern), Besar Musolli (Kukësi)

Bernard Berisha (Akhmat), Besar Halimi (Brondby), Valon Berisha (Salzburg), Flamur Kastrati (Sandefjord), Donis Avdijaj (Schalke), Milot Rashica (Vittese), Bersant Celina (Ipsëich Toën)

Sulmues: Elbasan Rashani (Odds BK), Atdhe Nuhiu (Sheffield Ëendesday), Vedat Muriqi (Gençlerbirligi)


Tags:
Share: