Trajneri i Milanit, Vinçenco Montela, ka qenë ndër më të kritikuarit në media pas humbjes së thellë ndaj Lacios, por trajneri kuqezi nuk gjen justifikime dhe pranon çdo kritikë: “Humbje e shëmtuar, ka shumë gjëra negative mbi të cilat duhet të punojmë shumë. Duhet të bëhemi skuadër, edhe pse koha është shumë e paktë. Kjo ndeshje tregoi që jemi ende pas, Lacio tregoi që është më skuadër dhe më përpara se ne, ndërsa duhet të bëjmë më shumë në aspektin e personalitetit. Skuadra vrapo shumë keq kundër Lacios, nuk ishte në rregull mendërisht”, deklaroi Montela pas humbjes së hidhur në “Olimpico”.

“Rezultati do të na bëjë mirë, humbje të tilla duhen ndonjëherë. Shumë blerje në stol? Mendoj se bëra zgjedhjet më të mira, Kutrone është më përpara se Kaliniç e Andre Silva, Bonaventura e Çalhanoglu nuk janë në formën optimale. Bonuçi në vështirësi? Gjithë skuadra tregoi se nuk është e ekuilibruar dhe agresive, por është normale që lojtari me më shumë personalitet të kritikohet dhe kjo gjë thjesht do ta stimulojë më shumë. Moduli 4-3-3 i gabuar? Diferenca mes moduleve është minimale, ndoshta do ta ndryshoj në të ardhmen, pasi kemi shumë alternativa”.

Share: