Besnik Prenga, trajneri i të rinjve të Lokomotivës së Zagrebit, ka analizuar sfidën mes Dinamos dhe Skënderbeut, teksa edhe ai sheh skuadrën kroate favorite.

Analizën e tij në Supersport e nis kështu: “Janë dy ekipet më të mira në vendet përkatëse, edhe pse humbën të dyja titullin sezonin e fundit. Shanset janë 60-40 në përqindje për Dinamon, që me ardhjen e trajnerit të ri Cvitanoviç ka ndryshuar shumë. Ekipi ka marrë frymë, lojtarët po e ndjekin, shoh entuziazëm pas dy fitoreve kundër rivalëve direkt në kampionat, Hajdukut dhe Rijekës. Është moment perfekt për Dinamon, ndërsa Skënderbeu ka luajtur vetëm ndeshjet në kupat e Europës dhe nuk ka luajtur ende në kampionat, çka i jep epërsi Dinamos”.

Shumëkush thotë që Dinamo e Zagrebit është dobësuar, por Prenga deklaron: “Lojtarët kryesorë janë ende aty, nga portieri e deri te sulmuesit kryesorë Sudani e Fernandes, edhe pse Sudani do të mungojë sot. Megjithatë, Dinamo është klub shumë i madh që të ketë probleme të tilla, për zëvendësimin e talenteve që shet”.

ARMA E SKËNDERBEUT -“Shpresoj që Latifi të bëjë diferencën, ai mund të jetë pika më e fortë, pasi Dinamo në krahun e djathtë të mbrojtjes është disi më i dobët dhe si mbrojtësi i djathtë, ashtu edhe sulmuesi i djathtë, nuk koordinohen mirë dhe shpresoj që Latifi t’i vërë në vështirësi të mëdha dhe të shënohet një gol, që do të shtonte ndjeshëm shpresat për kualifikim”.

Në fund Besnik Prenga shprehet se zemra i rreh për Shqipërinë dhe donte kualifikimin e korçarëve, por: “Natyrisht, gjaku është gjak, zemra është zemër dhe sot jam tifoz i Skënderbeut. Dëshiroj që Skënderbeu të kualifikohet, por nuk do të jem i zhgënjyer edhe nëse kalon Dinamo”.

Share: