Mlladen Milinkoviç rikthehet në Gjirokastër,këtë herë si kundërshtar. Pavarësisht polemikave, trajneri serb theksoi në konferencën për shtyp se ndihet mirë që do të jetë nesër në qytetin e gurtë, me të cilin është i dashuruar. Ai ka folur ndeshjen dhe shumë çështje të tjera.

-Çfarë rikthimi pret Milinkoviç në Gjirokastër?

Është një ndeshje si gjithë të tjerat, vëmë për të fituar. Jam i kënaqur që do shkoj në Gjirokastër, pasi kam kaluar një vit më mirë. Tifozët kanë treguar ndjenja të mira atje, ashtu sikurse unë. Ishte si një dashuri. Do takoj miq të mi të vjetër atje dhe jam i kënaqur. Unë jam nga ata që mbaj vetëm gjërat pozitive nga një marrëdhënie.

-A mendoni se do kontestoheni nga tifozët?

Nuk ka rëndësi ikja ime, ato janë gjëra që ndodhin. Nuk kam folur kurrë se si ika, por kthehem në një qytet që e dashurova. Atje gjej miq.

-Keni marrë mesazhe nga lojtarët e Luftëtarit?

Kam pasur kontakte me çunat, flas shumë me ata, sikurse Jovanoviç. Ata kanë punën e tyre, ata kanë punën e tyre.

-Çfarë prisni nga ekipi juaj në këtë takim?

Pres që ekipi im të bëjë më të mirën. U kam thënë lojtarëve që ata kanë një ekip të mirë dhe kanë mbështetjen e tifozëve. Gjithashtu kanë një trajner të ri dhe duan t’i tregojnë atij që vlejnë. Ishte rastësi që së fundmi nuk janë paraqitur mirë, pasi kanë ekip të fortë. E rëndësishme është që ekipi im të jetë i qetë dhe i përqendruar.

-Luftëtari nuk bën më lojën e vjetshme, çfarë prisni nesër?

Jemi përgatitur për të përballuar çdo lloj loje që do bëjnë ata. U mungon Liçaj, por edhe mbrojtësi i djathtë që kanë tani është i mirë. U kanë ikur vetëm Rexhinaldo dhe Bojom. Pjesa tjetër është e njëjtë. Kam marrë informacion edhe për lojën që bën Lika. E rëndësishme është mënyra se si paraqitemi ne, nëse bëjmë atë që kemi përgatitur, atëherë do vijë rezultati.

-Çfarë porosish u keni dhënë lojtarëve?

Lojtarët tanë pak e shumë e njohin Luftëtarin, sepse është ekipi që nuk ka ndryshuar lojtarë dhe stil loje deri tani. Disa gjëra që ua thashë lojtarëve i dinin, e njihnin ekipin. Me dëmtimet e lojtarëve kohët e fundit nuk kemi arritur aty ku duhet. Në dy ndeshjet e fundit, në momente të caktuara kemi treguar si duam të luajmë, duke kaluar ndeshjet do kemi më shumë vazhdimësi. Për ne e rëndësishme është që të vijojmë me rezultate pozitive dhe të ruajmë diferencën e pikëve ose edhe ta shkurtojmë, pasi Skënderbeu ka një ndeshje të vështirë në Durrës.

-A është momenti që Kukësi të çlirohet plotësisht?

Për ne është e rëndësishme është të marrim tre pikët dhe të luajmë bukur. Por tre pikët janë më të rëndësishme.

-Sulmuesit kanë shënuar, ndërkohë që Alijev shfaqi shenja revolte te festa e golit…

Për ne ka rëndësi të shënojmë dhe të fitojmë. Nuk ka rëndësi kush luan dhe kush shënon. E dimë që për lojtarët është e rëndësishme kjo, por jo për ne.

-Kush mund të befasojë te Kukësi nga të rinjtë?

Që në takimin e parë me presidentin ishte që qëllimi ishte që Kukësi të luante bukur, por të gjenim edhe disa lojtarë të rinj. Ethemi është dukur deri tani, por janë edhe Koldashi, Joti dhe Sadiku i ekipit të dytë., Ata do kenë mundësi të luajnë në Kupë dhe në kampionat.

-Sa ju penalizojnë mungesat e Musollit, Shametiti dhe Zeqirit?

Për çdo trajner do ishte mirë të ishin të gjithë lojtarët në dispozicion, por këtë nuk e ndryshojmë. Për mua më të mirët janë ata që luajnë, Do gjejmë zgjidhjet me këta lojtarë që kemi.

 

 

 

 

 

Share: