Gentian Mezani e ka nisur me këmbë të mbarë aventurën e tij me Laçin, pasi mundi në debutim skuadrën e Vllaznisë. Trajneri vlonjat do kishte pasur dëshirë të drejtonte Flamurtarin, por e thotë hapur që ai shkon aty ku e kërkojnë, pasi e tillë është edhe puna e trajnerit.

“Absolutisht, unë kam dëshirë të punoj dhe normalisht do të shkoj aty ku do të gjej punën. E mira do të ishte të isha në Vlorë, por kjo punë nuk ka zgjedhje, detyrimisht duhet të shkojmë aty ku ka punë dhe nuk është një problem i madh për mua”.

Mezani më tej në “RTSH Sport” është shprehur se e ka gjetur Laçin ashtu si e mendonte dhe e kishte parë në ndeshjet e para të kampionatit.

“E kisha ndjekur skuadrën e Laçit në tre ndeshjet e para dhe e dija se ishte një skuadër me elementë të rinj. Më ka pëlqyer në të tre ndeshjet, pasi kjo skuadër kishte grintë. Kishte çuna me dëshirë dhe nuk u zhgënjeva kur mora drejtimin e skuadrës, pasi i pashë të njëjtat gjëra në ndeshjet që kisha parë në javët e para. Realisht nuk e di se çfarë nuk funksionuar në javët e para. Di që ka bërë një ndeshje shumë të mirë me Partizanin, ku arriti dhe fitoren”.

Objektivi për Laçin do të vendoset rrugës dhe momentalisht bardhezinjtë mendojnë vetëm të marrin maksimumin në ndeshjen e radhës, që është edhe objektivi, sikurse thotë tekniku Mezani.

“Nuk kam ndonjë objektiv të vendosur nga presidenti i Laçit. Kam objektiv ndeshjen e radhës, të grumbulloj sa më shumë pikë, ky është objektivi. Është vetëm fillimi dhe gjatë rrugës do të mendojmë dhe për objektivin sezonal. Mendoj se gjithmonë duhet të jetë në këtë mënyrë, pasi vetëm kështu mund të ecim përpara, duke menduar ndeshjen e radhës. Nëse do të mendonim se çfarë do të arrinim do i vështirësonim gjërat. Si skuadra dhe ne si staf duhet të shohim vetëm ndeshjen që kemi përpara, të jemi sa më të qetë në renditje në kampionat dhe më pas do të mendojë sigurisht dhe për Kupën, nuk diskutohet”.

Share: