Gentian Mezani e ka nisur me fitore në krye të Laçit, ndërkohë që pas ndeshjes ka folur për ndeshjen me Vllazninë në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“Jam i lumtur për këtë start. Kam pasur pak ditë në dispozicion, jam munduar të zgjidh pak gjëra dhe më kënaq ky start. Megjithatë, është vetëm fillimi, nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe dhe kemi ende shumë punë për të bërë.

“Pse e zgjodha Laçin? E kam ndjekur Laçin edhe më parë dhe një nga arsyet që pranova të merrja Laçin ishte prania e shumë lojtarëve të rinj, të cilët kanë shumë dëshirë e energji. Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse kampionati sapo ka nisur dhe çdo ndeshje është më e vështirë se paraardhësja. Unë jam një person që i pëlqej aventurat dhe nuk kam frikë të marr përsipër detyra të tilla, duke bërë maksimumin e mundshëm, pastaj nëse vijnë fitoret, akoma më mirë”.

“Synimet e Laçit? Nuk mund të flasim për synime madhore. Kam pak ditë këtu, kam parë djem me dëshirë, edhe disa janë me shumë eksperiencë. Duhet të marrim ndeshjet një nga një, mos të shohim shumë larg dhe të mos flasim për Europë e synime madhore”.

“Flamurtari përballë pas dy javësh? Në këtë moment mendoj vetëm për Laçin, nuk e shoh kalendarin. Normalisht që e ndiej si ndeshje, jam vlonjat dhe Flamurtari më ka hapur rrugën që kam nisur, por jam trajner profesionist dhe ndonëse Flamurtari është skuadra ime e zemrës, kur ta kem përballë do të kërkoj fitoren për Laçin, si trajner i kësaj skuadre.

“Nica ka akuzuar lojtarët për mungesë profesionalizmi? Nuk dua të komentoj deklaratat e tij, unë i them faleminderit për punën që ka bërë, është një trajner shumë i zoti dhe ka ndërtuar një skuadër shumë të mirë, të stërvitur mjaft mirë”.

Share: