Starti i fazës së grupeve në Champions League ka prodhuar gola e fitore të thella, por natyrisht më e rëndësishmja ishte fitorja e madhe e Barcelonës, 3-0, ndaj Juventusit. Barcelona përballë kishte ekipin që e eliminoi bindshëm sezonin e fundit, ndaj ishte rasti ideal për hakmarrje dhe ashtu ndodhi: Mesi në minutat 45 e 69, Rakitiç mes dy golave të “Pleshtit” dhe spektakël katalan, ndaj një Juventusi të zbehtë, që qartësisht dominon në Itali, ku nuk ka rivalë, por mbetet në hall për Europën, ku ende nuk është “top”, edhe pse deri në finale ka shkuar këto vitet e fundit.

 

Ndërkaq, PSG nuk ndalet më 5-0 në Skoci ndaj Seltikut, Nejmar, Mbape dhe Kavani 2 gola, një spektakël i frikshëm i treshes sulmuesve që shënoi edhe fundjavën e shkuar. Edhe Çelsi masakroi 6-0 Karabakun ku mungonte Ansi Agolli për dëmtim.

Pa sforcim fitoi edhe Bajerni, 3-0 ndaj Anderlehtit, triumf identik edhe Mançester Junajtid, 3-0 ndaj Bazelit të Taulant Xhakës. Pa gola në Romë, ku Atletiko e Roma u mjaftuan me nga një pikë.

Besnik Hasi dhe Olimpiakosi e nisën me humbje, 2-3 në Pire ndaj Sportingut, që triumfoi bindshëm, ndërsa befasi ishte fitorja me përmbysje e CSKA Moskës, 2-1, në Lisbonë, ndaj Benfikës.

Share: