Idriz Mbombo ka debutuar me gol me Laçin, madje ka shënuar dy herë në portën e Sopotit në ndeshjen e Kupës, por mund të kishte shënuar edhe më shumë.

Pas sfidës së djeshme ai ka thënë fjalët e para si futbollist i kurbinasve, duke u shprehur i kënaqur që është pjesë e tyre.

“Jam shumë i kënaqur që ndodhen në Shqipëri. Për sa i përket debutimin, shënova dy gola dhe kjo është pozitive për mua dhe për ekipin. Me mbërritjen time këtu shpresoj të jap më të mirën që skuadra të ecë sa më shumë në rezultate”, ka thënë fillimisht në Supersport sulmuesi i ardhur te Laçi nga Al Shabab.

Arsyeja pse i është bashkuar lidhet me objektivat e kurbinasve, ndërkohë që ai synon të shënojë sa më shumë gola, në mënyrë që të kapin kupat e Europës.

“Laçi është një ekip shumë i mirë këtu në Shqipëri dhe me objektiva të qarta, ndaj dhe pranova të jem pjesë e kësaj skuadre. Synimi im është të shënoj sa më shumë gola, që sezonin e ardhshëm Laçi të luajë në Kupat e Europës. Shpresoj që eksperienca ime të shërbejë për arritjen e këtij objektivi.”

Mbombo shprehu në fund gatishmërinë e tij për të luajtur që në sfidën e së dielës me Luftëtarin: “Unë jam gati të debutoj edhe në kampionat, sigurisht nëse trajneri do të ketë besim tek unë. Jam gati të luaj dhe të jap më të mirën në ndeshjen e fundjavës me Luftëtarin.”

Share: