Mërgim Mavaj ishte në humor pas ndeshjes kundër Maqedonisë, por pati një moment ku u acarua jo pak, duke iu përgjigjur flakë për flakë Ezgjan Alioskit, i cili më parë kishte thënë se Shqipëria nuk iu duk aq e fortë sa më parë.

“Alioskit nuk i pëlqeu Shqipëria? Nuk e di kush është ai njeri. Normalisht ne krahasohemi gjithmonë me të shkuarën, me atë gjë madhështore që kemi bërë, duke shkuar në Europian. Kush e ka parë ndeshjen këtu, e ka parë që kemi shumë cilësi, ashtu si kemi parë që Maqedonia vetëm u mbrojt në Shqipëri. Njerëzit bëjnë mirë të shohin skuadrat e tyre, jo skuadrat e huaja.

“Nuk luajmë bukur? Nuk kemi qenë ndonjëherë si Spanja, me 150 pasime e lojë të shpejtë e të bukur. Ne jemi rritur duke u mbrojtur mirë, me kujdes e qetësi, ndërsa për lojën e bukur gjërat vijnë ngadalë, duhet shumë kohë.

“Penalltia? Ka qenë gabim total, nëse nuk jepej, tani do flisnim ndryshe. Arbitri gaboi, na ndëshkoi, ndërsa nëse fitonim tani do kishim elozhe pa fund për lojën e rezultatin. Ne kështu luajmë gjithmonë, për rezultat, jemi skuadër normale me lojtarë normalë, duhet të luftojmë për çdo metër e çdo top. Sot ndoshta nuk ishim perfektë, nuk ishte dita jonë më e mirë, por luftuam deri në fund, dhamë gjithçka dhe morëm rezultat pozitiv. Maqedonia nuk pati shumë raste me portierin, pati raste sporadike, ndonjëherë edhe për gabimet tona. Edhe ata e donin fitoren, ishin në borxh me tifozët, ndaj nuk varet gjithçka nga ne. E pranoj që kemi shumë gjëra për të përmirësuar”.

Share: