“Çdo fillim është i vështirë, duke parë edhe ndryshimet që kishim në ekipin tonë. Por, siç po e shihni edhe vetë, nga ndeshja në ndeshje po e tregojmë veten më shumë, po bindim në lojë. T’u lëmë edhe pak kohë të rinjve dhe do të shihni Partizanin e vërtetë”, kështu e nisi konferencën për shtyp qendërmbrojtësi Renato Malota, të cikit i kujtohet se në ndeshjen e fundit shumica e titullarëve ishin ata të sezonit të shkuar.

“Ndryshime ka pasur nga ndeshja në ndeshje. Po t’i shihni të gjitha formacionet startuese të Partizanit në këto javë kampionat, nuk kanë qenë të njëjta. Prandaj, po e them përsëri, u duhet dhënë pak kohë jo vetëm lojtarëve të ardhur, por edhe trajnerit, që të shprehë idetë e tij.

Lezhjani flet edhe për gjendjen e tij pas rikuperimit: “Dëmtimi është i vështirë për çdo futbollist, por synoj të kthehem. Normalisht, nuk jam akoma në 100 për qindëshin tim, por po bëj të pamundurën që të arrij formën më të mirë. Edhe sezonin e kaluar kisha një periudhë dymujore që isha i dëmtuar. Kjo ishte arsyeja pse nuk luajta. Nuk është se nuk kam qenë titullar. Edhe këtë sezon ishte dëmtimi që më la mbrapa. Nuk luajta në katër ndeshje. Do të bëj maksimumin që të luaj, pastaj zgjedhjet janë në dorën e trajnerit”.

Në fokus është ndeshja me Vllazninë: “Është një ndeshje e vështirë. Edhe Vllaznia nuk është se po kalon një moment të mirë. Do të jetë një lojë shumë e fortë. Ne shohim punën tonë, shkojmë për të marrë maksimumin e pikëve, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë shkëputje nga vendet e para dhe të arrijmë objektivat që i kemi vënë vetes. Vllaznia, është e vërtetë se ka qenë një “mace e zezë” për ne. Mendoj se këtë radhë do të jetë një histori tjetër. Kam shumë besim se do t’i marrim tri pikët. Ekipi ynë ka treguar në ndeshjet ndaj Vllaznisë se nuk shënojnë vetëm sulmuesit. Kanë realizuar edhe mesfushorët, madje edhe ne mbrojtësit. Do të jenë 90 minuta shumë të vështira, por fitoren nuk e shoh të pamundur në Shkodër. Goli do të vijë edhe nga mesfusha, edhe nga mbrojtja, jo vetëm nga sulmi.

Titulli kampion është objektivi i Partizanit dhe për mome.tin diferenca me korçarët nuk është e vogël. “Është vetëm fillimi. 8 pikë larg kreut edhe janë, edhe nuk janë shumë. Skënderbeu dhe Kukësi, që janë para nesh, edhe ato do të bëjnë hapa falsë. Kjo është normale në futboll. Ne do të shohim vetëm punën tonë. Në çdo ndeshje të japim më të mirën, të marrim maksimumin, pastaj e tregon gara si rrjedhin gjërat. Skënderbeu ka bërë mirë deri tani, por ka akoma shumë ndeshje deri në dhjetor. Le t’ia lëmë më mirë kohës. Ne nuk e kemi akoma të gatshëm edhe Çanin. Me rikthimin e tij dhe të disa lojtarëve të tjerë, që nuk janë akoma në 100 për qindëshin e tyre, ju do të shikoni Partizanin e vërtetë”.

Share: