Trajneri i Teutës, Gugash Magani, pas ndeshjes me Flamurtarin, në prononcimin për SuperSport, u shpreh se ekipi i tij ishte i shthurur, ndërsa theksoi se më mirë që humbën tani, duke e parë si një leksion për të ardhmen këtë takim. Peqinasi ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e dobët e skuadrës, ndërkohë që ka pretendime edhe ndaj gjykimit dhe gjyqtarit Kreshnik Cjapi, edhe pse nga ana tjetër e pranon se penalltia e dhënë në fund ishte tjetër moment mjaft i diskutueshëm.

“Po t’i referohem pjesës së parë, them se nuk kemi qenë fare skuadër në fushë. Ishim krejtësisht të shthurur taktikisht, pa grintë.

U ndëshkuam për dy gabime tonat, por kuptohet edhe për meritë të Flamurtarit. Kishim probleme me shpejtësinë e mendimit dhe kjo më shqetëson.

“Kam pretendime për një penallti në pjesën e parë. Nëse do të jepej, do të kishte tjetër rrjedhë loja.

Kështu e ka futbolli, në lojë ishin të tre rezultatet për këtë ndeshje dhe nuk kam thënë kurrë që do të fitojmë titullin. Nuk po e bëj tragjedi këtë që po them, Flamurtari nuk vodhi asgjë në këtë ndeshje.

“Euforia? Ka qenë prezente te lojtarët që ende nuk kanë eksperiencën dhe nuk dinë ta mbajnë presionin e të luftuarit për gjëra të mëdha. Gjithsesi, ky është një leksion dhe unë marrë përgjegjësitë e mia.

“Teuta u përmirësua pas ndryshimeve në pushim? Dediç nuk është në gjendjen e tij më të mirë. Kam rezervat e mia për këtë lojtar.

Në pjesën e goditjeve standarde nuk ishim aty ku duhet, sepse kishim shumë të tilla, por nuk i shfrytëzuam. Mund ta kishim ndëshkuar Flamurtarin në këto raste.

“E keqja më e mirë apo e mira më e keqe, është që u ndalëm në këtë moment. Nëse do të jemi aty ku duhet në javën e pestë apo të gjashtë, do të shikojmë një Teutë tjetër.

Në pjesën e parë ishim shumë të plogësht, duke e nënvlerësuar Flamurtarin. Nuk arritëm ta lexonim lojën dhe ky është e rëndësishme”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Teutës, Gugash Magani.

Tags:
Share: