Armand Duka i ka bërë një përmbledhje asaj që ka kaluar Shqipëria në kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”, teksa është shprehur i kënaqur me arritjen e objektivit për të zënë vendin e tretë.

Në “lupën” e kreut të Federatës ka kaluar edhe trajneri Panuçi, bojkoti i Tifozave Kuqezi, lojtarët e Superiores që i mungojnë Kombëtares, synimi në Ligën e Kombeve dhe rezultatet e Shqipërisë U19.

ANALIZA
“Dy ndeshjet e fundit mund të mbylleshin më mirë nga pikëpamja rezultatit, por në total në këtë edicion, përkufizimin duhet ta japin më mirë ata që mbështesin ekipin kombëtar, por në total do ta konsideroja një edicion pozitiv. Kemi zhvilluar 10 ndeshje, kemi arritur një vend në klasifikim më të mirin e Shqipërisë. Pengjet janë dy ndeshje, ajo me Izraelin në shtëpi dhe sfida e fundit me Italinë, ku mund të merrnim një pikë.”

PUNA E PANUÇIT
“Në të tërën gabimet nuk kanë qenë të mëdha. Ka qenë një paraqitje e mirë, ndoshta një lojë jo e mirë, por futbolli është cinik. Duhet ta shohim në lojën e dhuruar dhe rezultatit. Në total është një punë e kënaqshme. Fatkeqësia e tij dhe e stafit të tij që kishte dy kundërshtarë shumë të fortë, edhe pse ndoshta e meritonim një pikë me Italinë.”

LIGA E KOMBEVE
“I kam hedhur një sy ndarjes së grupeve të Nation League. Mendoj se objektivi Shqipërisë është jo grupi C ku gjendemi, por grupi B. Në asnjë rast nuk mund të mendojmë të jetë në C. Ne kemi mundësi reale për të marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme dhe në ndonjë rast në botëror. Ndeshjet e fundit kanë konfirmuar se Shqipëria është ekip i fortë dhe kompetitiv.”

LILAJ DHE LOJTARËT E SUPERIORES
“Janë zgjedhje të trajnerit. Kemi shpesh raste kur lojtarë të nivelit të lartë mbeten jashtë sepse konkurrenti tij është akoma më lart, ndaj janë zgjedhje që varen nga moment dhe pozicioni. Jo vetëm Lilaj, por dhe të tjerë mund të afrohen dhe në ndeshjet e nëntorit trajneri do të provojë”.

BOJKOTI I TKZ-së
“Problemi që kemi patur gjatë këtij edicioni është bojkot i Tifozave Kuq e zi. Arsyet kryesore nuk varen nga Federata e Futbollit dhe nuk dua të fajësoj një institucion tjetër, sepse bëjnë detyrën e tyre. Ajo çka dëmtohet është ekipi. Duhet të tejkalosh dhe diçka që mund të të ketë cenuar, si në rastin e Tifozave Kuq e Zi. FSHF është organizatë sportive dhe nuk siguron kontrollin apo jo të njerëzve në stadium. Mund të kesh drejtë, por qëllimi është dhe më i madh. E kanë mbështetur gjithmonë dhe uroj të ketë përfunduar ai bojkot dhe të fillojmë mbarë edicionin e ardhshëm”.

REZULTATET E SHQIPËRISË U19
“Prisnim më shumë nga U19, pasi rezultatet nuk ishin të mira dhe do të ketë diku nga fundi nëntorit një lloj analize e do të vihen detyrat për të ardhmen.”

Share: