Vllaznia pret  Flamurtarin nesër në Shkodër dhe pas humbjes së pësuar me Laçin në transfertë kërkohet kthesa te rezultatet pozitive.

Para mediave sot ka dalë në konferencë kapiteni Gilman Lika, i cili fillimisht ka deklaruar:

“Kjo periudhë 10 ditore pa ndeshje na ka shërbyer për të përmirësuar formën tonë, sepse kemi zhvilluar seanca shtesë ngaqë jo të gjithë lojtarët kanë patur formën e duhur. Na duhet të bëhemi gati dhe të fitojmë ndeshjen e radhës me Flamurtarin. Një fitore që do të vlente për tifozët, por edhe për veten tonë, pasi do të na ndihmojë shumë për ecurinë e mëtejshme. Nuk do të jetë e lehtë sepse Flamurtari ka treguar deri më tani se ka një skuadër shumë solide, por megjithatë jemi të vendosur për të kërkuar fitoren”.

Sivjet ka rënë në sy mungesa e “Vllaznit Ultras” në stadium dhe kapiteni Lika ka një mesazh për ta:

“Kjo është një çështje për të cilën kam dashur të flas këto kohët e fundit. Mungesa e grupimit ‘Vllaznit Ultras’ në stadium na ka dëmtuar shumë. Nuk e di arsyen e saktë, por u bëj thirrje edhe drejtuesve të klubit të ulen e të bisedojnë me ta për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit sepse kjo është në të mirën e të gjithë neve, është në të mirën e Vllaznisë mbi të gjitha”.

Share: