Mançester Junajtid arrin të realizojë objektivin madhor të sezonit. Skuadra e drejtuar nga Hoze Murinjo ka triumfuar në finalen e Ligës së Europës mbrëmjen e sotme, teksa mposhti me rezultatin e pastër 2-0 finalistin tjetër, Ajaksin.

Ndeshja mes dy skuadrave të mëdha europiane u vendos nga kualitetet që Mançesteri kishte në përberje, teksa golat e Pol Pogba dhe Henrik Mikhitarjan i dhanë trofeun “djajve të kuq”, që për më tepër se kaq vlen një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Ndeshja finale e luajtur në Stokolm foli më tepër për skuadrën angleze, teksa shënoi nga një gol në çdo pjesë. Pogba në minutën e 18’ kaloi në avantazh Mançesterin falë një goli që u shënua edhe me fat, ndërsa Mikhitarjan në minutën e 48’ vulosi fatin e ndeshjes duke e dërguar kupën në Mançester, që ndryshe është edhe shpëtimi i një sezoni që në kampionat u mbyll në vendin e 6-të.

Përsa i përket Ajaksit, ekipi holandez ishte i pafuqishëm për të reaguar ndaj supermacisë së kundërshtarit që për hirë të së vërtetës e meritoi fitoren dhe triumfin në këtë kompeticion, ku rrallherë Mançester Junajtid është parë të garojë.

Share: