Vllaznia pas katër javëve të para të kampionatit nuk po kalon një situatë të qetë, pasi humbja në Laç ka djegur, ndërkohë deri më tani janë grumbulluar vetëm katër pikë.

Deri më tani janë zhvilluar tre ndeshje jashtë fushe dhe është fituar në Fier ndaj Lushnjes, barazuar me Luftëtarin në Gjirokastër, për të ardhur te humbja e fundit me Laçin.

Ajo që shqetëson deri më tani është gjetja e golit. Për shkodranët ka shënuar vetëm një gol Edon Hasani, ndërsa tjetri me Lushnjen ishte autogol, kurse në tri sfidat e tjera nuk kanë shënuar dot.

Problem janë edhe pagat dhe tashmë fondi prej 170 milionësh është miratuar nga Asambleja, por duhet pritur lëvrimi i tij dhe kalimi nëpër llogaritë e futbollistëve.

Gjithsesi, nëse gola e lekë nuk ka, në Shkodër analizat nuk mungojnë. Pas humbjes me Laçin pritet që stafi dhe drejtuesit të bëjnë një analizë me futbollistët, për të evidentuar problemet dhe për të tentuar zgjidhjen e tyre në vazhdimësi.

Share: