E njëjta situatë si në verë me klubin e Partizanit, që në Prishtinë i zyrtarizonin marrëveshjet me Mentor Mazrekajn dhe Labinot Ibrahimin, ndërkohë që 15-herë kampionët e vendit heshtnin, madje në prezantimin e Kristian Adorjan drejtori Genc Tomori nuk nguronte as të thoshte: “Ibrahimi është i yni, ndryshe nga se shkruani ju në media”.

Tashmë ndodh që Xhovani La Kamera ka ndërprerë kontratën me të kuqtë dhe ende nuk ka ardhur zyrtarizimi nga ana e klubit të kuq. I madh e i vogël e di tashmë që merkatoja e verës ishte një dështim.

“Ideja për të ndërprerë kontratën lindi në dy javët e fundit, por u zgjidh vetëm këto ditë. Kam kaluar mirë në Tiranë, jam i lumtur për këtë eksperiencë, por kisha dëshirë të kthehesha në Itali”, thotë ndër të tjera La Kamera në “tuttomercatoëeb.com”, ku flet edhe për futbollin shqiptar, duke vënë në dukje mangësitë në anën taktike, por e vlerëson si mjaft të fortë.

“Mendohet se është nivel i ulët, por nuk është kështu, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë teknik. Ndryshe nga futbolli ynë, është se punojnë më pak në fazën taktike, më pak në lojën një kundër një, në këtë drejtim kanë pak mangësi. Por ka shumë teknikë dhe përgatitje fizike”.

Share: