Një nga risitë e sezonit të sivjetshëm të Kupës së Pavarësisë ishte jo vetëm transferimi drejt Korçës, po edhe skuadra fituese. Këtë herë fituese e kësaj kupe për të parë ishte FC Struga Tim & Lum, ndërsa futbollisti i saj Altin Loga u shpall “Futbollisti turneut” dhe struganët zëvendësuan në mënyrën më të mirë Shkëndijën e Tetovës. Ishte pjesëmarrja e parë për këtë skuadër, e cila në këtë sezon për herë të parë po luan në Divizionin e Parë. Vetëm një pikë larg dy skuadrave të tjera shqiptare, Gostivarit dhe Vëllazërimit, në grupin e Perëndimit, dhe FC Struga është në lojë për t’u ngjitur një kategori më lart. Një sukses ky jo i vogël për një skuadër të themeluar vetëm tre vite më parë. Në një intervistë për “sportal.al”, një nga bashkëthemeluesit dhe presidenti i skuadrës, Trim Qira, tregon historinë e “re” të skuadrës dhe kënaqësinë e fitimit trofeut të fundit.

Intervistoi: ELTON ÇELA

Trim, si lindi ideja e krijimit të një skuadre futbolli?

  • Në Strugë janë rreth 15, por luajnë në nivele shumë të ulëta, ndaj menduam të krijonim një skuadër që të ngjitej shumë lart. Besoj se deri tani kemi shkuar mirë.

Si është ecuria e deritanishme e skuadrës?

  • Kjo është një skuadër e re, e krijuar prej tre vitesh, duke e nisur nga Liga e Katërt. Aktualisht jemi në Divizionin e Parë, ku po bëjmë një kampionat të mirë.

E synoni Superligën?

  • Në momentin që erdhëm në këtë Divizion menduam se do të na duheshin 3-4 vite për t’u ngjitur në elitë. Por ecuria e deritanishme na bën të besojmë se mund t’ia dalim edhe këtë vit.

Si erdhi ftesa për në Kupën e Pavarësisë?

  • Të them të drejtën kjo ftesë ishte një surprizë për të gjithë ne. Na erdhi një telefonatë nga FSHF për t’u bërë pjesë e këtij eventi dhe e pranuam me kënaqësi. Sigurisht kjo për disa arsye, pasi vet simbolika e turneut të nderon. Por edhe fakti që ne, një skuadër e re, të jemi pjese e një eventi kaq të organizuar dhe ku ne përfaqësojmë shqiptarët e Maqedonisë.
FC Struga Trim & Lum duke ngritur trofeun e "Kupës pavarësia"
FC Struga Trim & Lum duke ngritur trofeun e “Kupës pavarësia”

Po fitorja?

  • Nëse thamë se pjesëmarrja ishte një nder, për fitoren nuk kemi fjalë. Ia dolëm të fitonim një turne të FSHF-së dhe të organizuar mirë. Jemi skuadër e re dhe të tilla eksperienca na vlejnë shumë. Më vjen mirë që skuadra ia doli të fitoj këtë turne.

Cili është raporti i etnive brenda skuadrës tuaj?

  • Normalisht ne jemi një klub shqiptar, e ndaj shumica e futbollistëve janë shqiptar. Por në skuadër ka edhe futbollist të etnive të tjera, si maqedon apo turq. Por në skuadër kjo ndihet pak, pasi skuadra më shumë se aspektin etnik, shikon atë profesional.

Struga është një ndër qytetet më të preferuara për zhvillimin e fazës përgatitore për skuadra të ndryshme edhe ato shqiptare. Cili është vlerësimi juaj për nivelin e futbollit mes Shqipërisë, Maqedonisë e Kosovës?

  • Po, Struga dhe Ohri janë dy qytete të preferuara prej vitesh nga skuadrat shqiptare, por së fundmi edhe për ato të Kosovës. Kjo është pozitive. Madje edhe ne kemi përfituar, duke zhvilluar takime miqësore me skuadra, si: Kukësi, Teuta, Liria e Prizrenit, Gjilani, Shkëndija etj. Mund të them se futbolli në Shqipëri qëndron më lart kundrejt rajonit dhe aty skuadrat janë më profesionale dhe të organizuara.

A do e kemi shpejt një tjetër skuadër shqiptare në Superligë dhe një derbi me Shkëndijën?

  • Sigurisht, ai është synimi ynë, të jemi në Superiore. Shkëndija e Tetovës është skuadra më e madhe shqiptare në Maqedoni dhe pikë referimi për të tjerët. Do ishte e bukur një derbi mes nesh dhe t’u japësh kënaqësinë publikut strugan për të tilla ndeshje.

    Flamur Tairi, Trim Qira dhe Altin Lloga, lojtari i Turneut
    Flamur Tairi, Trim Qira dhe Altin Lloga, lojtari i Turneut
Tags:
Share: