Pas dy barazimeve radhazi ndaj kryesuesve të Superiores, Vllaznia do të kërkojnë të vijojë serinë e rezultateve pozitive edhe ndaj Flamurtarit. Kuqeblutë e Armando Cungut janë duke kaluar një moment fantastik, teksa kanë siguruar “de fakto” mbijetesën dhe janë në garë për vendin e katërt që mund t’i sigurojë një vend në Kupat e Europës.

Para ndeshjes në Vlorë, ditën e sotme kanë dalë në konferencë për shtyp dy lojtarë të Vllaznisë të cilët kanë folur para mediave. Bëhet fjalë për Arsid Krujën dhe Eraldo Çinarin, të cilët ishin optimistë duke u shprehur se nuk do dalin pa pikë nga kjo ndeshje.

Për Krujën kjo është një sfidë e veçantë pasi në sezonin 2014/15 mesfushori shkodran ishte pjesë e Flamurtarit, teksa ditën e sotme deklaroi:

Skuadra ka funksionuar mirë si grup në këto ndeshjet e fundit dhe jo më kot ka marrë edhe rezultatet pozitive. Edhe në ndeshjen në Vlorë ndaj Flamurtarit do të japim maksimumin tonë, pse jo të fitojmë dhe të marrim pikët për të synuar deri në fund të sigurojmë një vend për në Europë. Nëse dy sezone më parë, duke qenë pjesë e skuadrës vlonjate, i kam shënuar Vllaznisë dhe pse jo, do të ishte kënaqësi nëse do t’i shënojë nesër edhe Flamurtarit.”

Ndërkohë, Eraldo Çinari në fjalën e tij u shpreh se beson te një rezulat pozitiv në Vlorë, duke marrë parasysh faktin se e kanë mposhtur tre herë Flamurtarin këtë sezon:

“Po kalojmë një moment të mirë dhe natyrisht që do të kërkojmë ta fitojmë këtë ndeshje. E kemi munduar tri herë Flamurtarin këtë kampionat, pse të mos e mundim edhe herën e katërt. Në ndeshjen e fundit me Partizanin në fushë ishin të gjithë futbollistët shkodranë dhe kjo është kënaqësi, besoj edhe për tifozët. Një Vllazni si e kjo e sivjetshmja, me kaq shumë shkodranë, kishte vite që nuk shihej. Duhet të shfrytëzojmë në maksimum situatën jo të mirë që po kalon Flamurtari dhe të kthehemi në Shkodër me pikë.”

Share: