Xhani De Biazit i ka mbetur merak që Ventura e fitoi garën me të për stolin e Italisë, ndërkohë që “axurrët” shumë shpejt mund të mbeten pa trajner.

Fitorja me Shqipërinë ishte detyrim, por loja nuk është se ka bindur në Itali dhe deri më tani Ventura i ka zhgënjyer italianët. Jo vetëm barazimi me Maqedoninë, por në përgjithësi loja dhe modulet e tij kanë hasur në kundërshti dhe gjasat janë që ai ta mbyllë para kohe aventurën me Italinë.

Nga Anglia vjen lajmi se Antonio Konte është kandidatura kryesore për të marrë vendin e Venturës në krye të kombëtares italiane, por në garë për të është edhe Milani.

Rikthimi në Itali është thuajse një fakt, pasi tekniku i Çelsit nuk do ta rinovojë kontratën me anglezët dhe dëshira e tij është që të rikthehet në Itali.

“Daily Express” dhe “The Sun” raportojnë se FIGC po mendon t’i bëjë një ofertë Kontes. Gjithsesi nuk mund të nënvlerësohet edhe përpjekja e Çelsit, që në janar mund të bëjë lëvizje të rëndësishme në merkato për ta bindur ish-trajneri e Juventusit.

Share: