Përpara tre viteve, për shkak të pasionit tim për bilardon, këmbët me çuan tek një ambient bilardoje te kompleksi “Halili”, pronë e Federatës përkatëse. Sapo u ambientova dhe e mora veten nga “hutimi” prej nivelit të lartë të lojtarëve në të 6 tavolinat, sytë më mbetën te një djalë i ri, adoleshent 15-vjeçar, i cili luante me një pjekuri veterani.

“Është talent”, – më tha dikush. “S’ka fare nevojë të ma thuash sepse është një gjë që dallohet lehtë”, – ia ktheva. Ky djalosh i talentuar ishte Klenti Kaçi nga Laçi. Që në çastet e para të kontaktit me të më krijoi bindjen se perfeksioni ishte komponent i pandashëm i tij. Dhe shpesh pyesja veten: “Çfarë mund të bëjë një lojtar i nivelit botëror më shumë se sa ky?”.

Talentin e kishte me tepri, vullnetin për stërvitje po e po. Mbi 5 apo 6 orë i kalonte në sallën i bilardos, duke u projektuar kështu si lojtar ndërkombëtar i një të ardhmeje të afërt. Dhe duke qenë se sporti i tij është një sport pa mbështetje dhe pa përkrahje, kuptohet që suksesi do të farkëtohej nga këto përpjekje e sakrifica individuale.

Sot, pas tre vitesh, në një klasifikim të bërë nga Federata Ndërkombëtare e Bilardos, Kaçi renditet në vendin e 8 në botë, me rreth 62 mijë dollarë të fituara. “CV”-ja e tij profesionale tashmë është pasuruar me disa trofe të rëndësishëm të fituar, si në “USA Open”, “Longoni”. Për Kaçin arritja në gjysmëfinale apo finale të turneve më të rëndësishëm ndërkombëtarë të bilardos është bërë një ngjarje mëse e zakonshme.

18-vjeçari Klenti Kaçi është tashmë një histori suksesi individual, një model që transmeton te të rinjtë e bashkëmoshatarët e tij mesazhin se talenti e puna sigurojnë suksesin e qëndrueshëm. Por fatkeqësisht, media në tërësi e ajo sportive në veçanti, kanë pak ose aspak hapësire për këtë lloj suksesi.
Autor: SHPËTIM LUKU

kaci

Share: