Kukësi akuzoi dje arbitrin Enea Jorgji për një penallti të pa dhënë ndaj Kamzës, ndërkohë që ka ardhur edhe reagimi i klubit të financuar nga Naim Qarri. Veç fitores në fushë, Kamza i ka dhënë një tjetër goditje kundërshtarëve të tyre, këtë herë me një reagim “thumbues”.

REAGIMI I KAMZËS
“Klubi ynë, pasi u njoh me deklaratën e kundërshtarit të sotëm, ndihet i ofenduar dhe i përbaltur pas një fitoreje të merituar! Lojtarët tanë kanë sakrifikuar në fushën e lojës dhe djersën e tyre askush s’mund ta hedhë poshtë! Në fakt, deklarata e Kukësit duket e nxituar dhe e nxitur nga mërzia e humbjes.

Mbase kanë qenë duke parë ndonjë ndeshje tjetër, pa kanë bërë këtë deklaratë të turpshme! Mbase ndeshjen Kukësi – Skënderbeu, ku u vendos titulli i fundit, me po të njëjtin arbitër! E kuptojmë se Kukësi pa penallti nuk fiton (si në ndeshjen e parë ndaj nesh në Kukës), por ja që rasti i Frashërit është parë nga stafi ynë mbi 3/4 herë me kujdes në përsëritje televizive dhe nuk kemi arritur ta dallojmë ka prekje të topit me dorë apo jo!

Ndërkohë që stafi i Kukësit qenka i bindur për 11-metërsh!  Ftojmë ekipin e Kukësit, siç i ka hije veriorëve, të pranojnë humbjen me burrëri, fundja fituesin momental vetëm një ekip kampion di ta respektojë e shtrëngojë dorën, gjë që sot kampionët e Shqipërisë, të fokusuar tek arbitri Jorgji, nuk e bënë.

Gjithsesi, skuadra e Kamzës respekton futbollistët e Kukësit në fushën e blertë dhe nuk i heq asnjë meritë në këtë humbje, ku ata luftuan burrërisht deri në fund, ndryshe nga drejtuesit e tyre, që u dorëzuan pa kushte, duke u konvertuar në specialistë të moviolës! Pavarësisht akuzave të pa baza, ne vazhdojmë të ecim përpara të bashkuar, dhe bëhemi akoma më të fortë kur na provokojnë e kërkojnë të na përçajnë me shashka të tilla si kjo e sotmja!”

 

 

 

 

 

Share: