Situata te Kamza nuk është e mirë. Humbja me Partizanin i ka mërzitur të gjithë, aq sa drejtuesit po mendojnë për masa drastike. Dy lojtarë rrezikojnë largimin nga ekipi, siç citon “Panorama Sport”. Ata janë, mbrojtësi Leo Lelis dhe sulmuesi Raçiç.

Mbrojtësi brazilian zhvilloi një ndeshje të dobët me të kuqtë dhe tekniku Ndreu nuk e kurseu në fund të sfidës. “Ishte një ditë e zezë për mbrojtjen tonë. Lelis gaboi te goli i dytë dhe jo vetëm. Dobët ishte dhe Kuqi, por Lelis gaboi shumë herë“. Raporti midis klubit dhe mbrojtësit është thyer.

Klubi ka humbur besimin dhe te sulmuesi Raçiç. 34-vjeçari nuk po bind, por te Kamza nuk duan të nxitohen. Merkato ka është mbyllur dhe largimet do dobësonin ekipin.

Kamza ndodhet në pozita komode me 26 pikë dhe vendi i gjashtë. Javën e ardhshme, ekipi i Ndreut pret Skënderbeun, me të cilin regjistrojnë dy barazime në dy fazat e para.

 

Share: