Juventusi e nis mbarë rrugën për të fituar “tripletën” e famshme të trofeve këtë sezon. Skuadra bardhezi ka mposhtur mbrëmjen e sotme Lacion e Thomas Strakoshës në finakken e Kupës së Italisë me rezultatin 2-0, duke siguruar zyrtarisht edhe trofeun e parë sezonal.

Ndeshja e luajtuar në “Olimpiko” të Romës u dominua totalisht nga Juventusi, që nuk e diskutoi për asnjë çast fitoren. Të dy golt do të shënoheshin në pjesën e parë, ku Dani Alvesh dhe Leonardo Bonuçi me golat e tyre do t’i jepnin fitoren dhe trofeun bardhezinjve.

Ndërkohë, Lacio dhe Strakosha nuk arritën të shmangnin humbjen duke dalë të zhgënjyer nga kjo finale. Portieri shqiptar nuk ishte fajtor në golat e pësuar, teksa pas ndeshjes u vlerësua me notën 5.5.

Juventusi tani e ka rrugën të hapur për “tripletën”, teksa sonte ka fituar Kupën e Italisë dhe ka në “xhep” titullin kampion. Tashmë mbetet vetëm për të fituar Ligën e Kampionëve në finalen kundër Realit të Madridit.

Share: