Mark Julianio, trajneri i Partizanit, ka dalë sot në konferencë për shtyp para ndeshjes me Vllazninë dhe ka komentuar në lidhje me këtë takim si dhe për çështje të tjera. Nga Sukaj tek Asani dhe ndryshimet në formacion, tekniku italian ndau këndvështrimin e tij me gazetarët.

-Sa kanë shërbyer dy fitoret radhazi te Partizani?

Sigurisht që jemi më të qetë, pasi kemi marrë dy fitore dhe në seancat stërvitore djemtë po e përgatisin më të qetë. Nuk është se ka pasur shumë ndikim edhe në ndeshjet paraardhëse. Gjithsesi gjendja ka qenë më e qetë.

-CCfarë prisni nga përballja me Vllazninë, që së fundmi ka ndryshuar edhe trajnerin?

-Kur skuadra ndryshon trajner ka dy medalje: skuadra ka pasur probleme, ndërsa ardhja e trajnerit të ri mund të sjellë stimuj të ri. Ata kanë zhvilluar futboll të mirë, por u kanë munguar rezultatet. Pres një kundërshtar të vështirë. Kanë marrë një trajner që është shpallur kampion vjet, sigurisht që me këtë lëvizje ata do kenë të tjerë stimuj dhe karakter. Gjithsesi ne do kërkojmë të vijojmë me rezultatet pozitive.

-E dini që Vllaznia i ka hequr titullin Partizanit?

Jam i informuar për faktin se vitet e fundit kanë qenë kundërshtar i rrezikshëm. Gjithsesi nuk më interesojnë statistikat, ne do kërkojmë të fitojmë.

-Sa e rëndësishme është mungesa e Sukajt?

Xhevo është një lojtar i rëndësishëm dhe dëmtimi ka ardhur në një moment të mirë. Nuk kemi çfarë bëjmë, ai do mungojmë. Fatmirësisht po rikuperohen lojtarë të tjerë dhe kemi “armët” tona për të fituar në Shkodër.

-Do jetë i gatshëm Alban Hoxha?

Siç e dini ka pasur një problem dëmtimi, por sot është stërvitur dhe nuk besoj se do mungojë të dielën.

-Asani erdhi si një premtim i madh, a do të jetë asi një alternativë?

Të ecim hap pas hapi. Ai gradualisht po merr veten dhe po arrin kondicionin fizik. Gjatë kësaj periudhe ai po rigjen formën në çdo aspekt, do vazhdojë të luajë me ekipin e dytë deri kur të jetë 100% gati.

-Kur do të ketë një formacion stabël, pasi ka pasur shpesh ndryshime?

Ndryshimet kanë ardhur prej dëmtimeve dhe kualifikimeve. Kur të jenë të gjithë gati atëherë do kemi një formacion stabël. Nuk e di nëse edhe ekipet e tjera e kanë një. Përpiqem të zgjedh lojtarët më në formë. Ata që janë në fushë duhet të japin 100% të mundësive, të respektojnë fanellën. Mundohem të hedh në fushë ata që kanë kondicionin e duhur fizik. Përpiqem të hedh formacionin që më jep më shumë garanci dhe që përshtatet me kundërshtarin që kemi përballë.

 

 

Share: