Pipo Inzagi ishte një nga kandidaturat për të marrë drejtimin e Shqipërisë dhe një nga kandidaturat më të dashura të presidentit Duka.

Gjithsesi ai në fund vendosi që të qëndrojë te Venezia, ndërkohë që në mediat italiane, konkretisht në një intervistë në “Corriere Dello Sport” ka sqaruar së fundmi se është i nderuar që FSHF u interesua për të, por për momentin dëshira e tij është të punoje me klube, të fitojë më shumë eksperiencë, ndërsa në të ardhmen nuk i dihet.

“Është e vërtetë, u ndjeva i nderuar që isha në qendër të vëmendjes së një federate që në këto vite, falë punës së De Biazit, ka djegur etapat, duke arritur kualifikimin historik për në Euro 2016. Por unë sapo kam mbushur 44 vjeç dhe jam tepër i ri për t’u bërë trajner i një kombëtareje. Kam nevojë të punoj çdo ditë në fushë, me lojtarët dhe bashkëpunëtorët e mi, duke vazhduar të studioj, të përmirësohem dhe të grumbulloj eksperiencë. I uroj Panuçit të arrijë gjithë sukseset që synon dhe që meriton”.

Share: