Gjatë verës, mediat sportive në Shqipëri dhe Maqedoni e vendosën në qendër të vëmendjes sulmuesin e Shkëndijes së Tetovës, Besart Ibrahimin, për një transferim të mundshëm tek Skënderbeu. Por duket se ‘’bomba’’ e vërtetë e asaj merkatoje për Ibrahimin nuk ka qënë Skënderbeu, por Arabia Saudite.

Ashtu si raporton ‘’InfoSport.mk’’, gjatë verës mes sulmuesit kuqezi dhe një skuadre arabe, emri i së cilës nuk bëhet e ditur, ka patur tratativa të vazhdueshme. Madje sipas këtyre raportimeve, bisedimet janë zhvilluar edhe në Tetovë, por ajo që përmendet më tepër është shifra e kësaj marrëveshje.

Negociatat tregojnë se është folur për një kontratë 2-vjeçare në vlerën e 800 mijë eurove për lojtarin, pra 400 mijë euro në sezon. Por në fund, Besart Ibrahimi ka refuzuar jo vetëm Skënderbeun, por edhe Arabinë Saudite, duke qënë sot një pikë referimi në sulmin kuqezi në rrugën drejt titullit kampion.

Share: