Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares dhe i Napolit, ka dalë sot në konferencë për shtyp në Antalia dhe ka folur për ndeshjen miqësore me Turqinë.

Mbrojtësi nuk foli vetëm për këtë përballje, por edhe për kualifikueset e Botërorit, në të cilat Shqipëria zuri vendin e tretë në grup pas Spanjës dhe Italisë, si dhe për emrat e rinj të grumbulluar nga trajneri Panuçi.

“Besoj që do jetë një ndeshje e bukur, e dimë që do të luajmë ndaj një kundërshtari shumë të vështirë, megjithatë kemi pasur kohën e nevojshme për ta përgatitur në mënyrën më të mirë këtë sfidë. Gjatë kësaj periudhe ne futbollistët jemi njohur më mirë me njëri-tjetrin, por edhe me trajnerin. Do të jetë një ndeshje kontrolli, për të kuptuar se ku kemi arritur dhe në çfarë forme jemi. Turqia është një skuadër shumë e fortë, ka lojtarë të nivelit të lartë, që luajnë në klube shumë të mira. Ky do të jetë një test impenjativ për ne, që do të bëjë të kuptojmë se cili është potenciali ynë i vërtetë. Nëse fitojmë, atëherë do të merrnim shumë vetëbesim për të ardhmen”.

KUALIFIKUESET E BOTËRORIT – “Ishim në një grup me Spanjën dhe Italinë dhe nuk duhet të anashkalojmë kurrë këtë fakt. Për ne eliminatoret e Botërorit ishin shumë të vështira. Vendi i tretë ishte pozitiv për ne, megjithatë duhet të shohim se ku kemi gabuar, për të sistemuar ato gabime, në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për eliminatoret e Europianit të ardhshëm”.

PRURJET – “Grupi është fantastik, edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur janë përshtatur menjëherë dhe mendoj që do të na japin një dorë për të arritur rezultate sa më pozitive”.

 

Share: