Skënderbeu u mposht 3-1 nga Dinamo e Kievit që përmbysi rezultatin pas golit të Muzakës, ndërkohë që trajneri Daja deklaroi pas ndeshjes së skuadra e tij bëri një punë të mirë në 45 minutat e para.

“Gjatë gjithë pjesës së parë bëmë një punë shumë të mirë dhe jam i kënaqur nga skuadra. Pas pushimit, fatkeqësisht, çdo gjë ndryshoi, por nuk duhet harruar që luanim kundër skuadrës më të mirë të grupit, në transfertë. Kur rezultati ishte 2-1, tentuam të ushtronim presion dhe të barazonim rezultatin, por më pas penalltia mbylli gjithçka. U munduam të freskonim lojën me zëvendësime, por nuk mjaftoi”.

Daja nuk e mohon se e kanë menduar edhe fitoren, ndërkohë që thekson se pavarësisht humbjes besojnë te pozicionimi në vendin i dytë, pasi në fund të fundit u mposhtën nga ekipi më i mirë i grupit.

“Sot e nisëm pjesën e dytë shumë keq dhe kjo ishte arsyeja pse u mundëm, sepse realisht deri në pushim ishim mirë dhe po e mendonim edhe fitoren. Për më tepër, bëmë dy zëvendësime të detyruara. Po të mos ishte për këto, rezultati përfundimtar mund të ishte ndryshe. Megjithatë, kemi pesë ndeshje të tjera përpara dhe do të provojmë të marrim maksimumin e pikëve, sepse besojmë te vendi i dytë.”

Share: