Luka Modriç ka një “adash” në Kroaci, i cili dje ka nënshkruar me NK Varteks, skuadër e kategorisë së tretë atje. Ai nuk ka cilësitë e mesfushorit të Realit të Madridit, por po përjeton momentin e tij të famës.

“Kur takoj dikë dhe i them emrin tim, askush nuk më beson mua. Në fakt, sapo shkëmbej duart me njerëzit, menjëherë më kërkojnë letërnjoftimin sepse duhet të provoj se kush jam. Ata mendojnë se po tallem”, shprehet 18-vjeçari kroat.

Duket e çuditshme që Luka nuk ka idhull mesfushorin e Realit, por një tjetër. “Urime për Modriç, do doja ta takoja atë, por edhe pse është lojtari ynë më i mirë, idhulli im është Pol Skolls nga Junajtid. Shpesh hyj në ‘Youtube’ dhe shoh si luan Skolls, ishte një perfeksion”.

Për të riun futbolli nuk është në plan të parë, pasi dëshiron të ndjekë studimet, për të pasur një të ardhme të sigurt.

“Kam në plan të shkoj në kolegj. Mendoj të ndjek fakultetin e inxhinierisë mekanike në Zagreb. Shkolla për mua është  shumë e rëndësishme. Kurrë nuk e di çfarë mund të ndodhë në karrierën e një futbollisti dhe nëse ke një diplomë në xhep, atëherë ke disa mundësi”.

Share: