Spanjë / Primera

 

Las Palmas – Valencia

Las Palmas nuk njeh humbje në fushën e vet prej thuajse një viti, ecuri që i mjafton për të qëndruar në kesin e qetë të renditjes. Sot kjo skuadër kërkon 3 pikë kundër Valencia-s, për të filluar të shohë edhe nga zona e kualifikimit për në kupat e Europës. Në fakt, kohët e fundit Las Palmas nuk po shënon shumë, ndërsa Valencia është zgjuar me ndërrimin e trajnerit, duke humbur vetëm një nga 5 ndeshjet e fundit në kampionat, ndaj situata në renditje është më e qetë dhe 6 pikë nga zona e ftohtë nuk janë pak. Për ndeshjen e sotme las Palmas është pa mbrojtësin e pezulluar Aythami Artiles (6/0), ndërsa për miqtë mbetet i dëmtuar sulmuesi Rodrigo (15/4) dhe është ende në Kupën e Afrikës mbrojtyësi Abdennour (8/0).

Parashikimi: Gol/gol

 

Itali / Seria B

 

Spezia – Latina

Pa fitore prej 3 ndeshjesh, Spezia është e detyruar të fitojë sot, kur të presë Latina-n, për të shpresuar te zona play-off. Është si një finale e vogël, sepse edhe Latina është shumë pranë Spezia-s në renditje dhe e ka të qartë se një fitore sot e transformon në një kandidate për një vend në play-off. Për sot Spezia ka në dyshim mesfushorin Migliore (21/0) dhe mbetet i dëmtuar sulmuesi Nene (13/4), ndërsa për miqtë është në dyshim sulmuesi Boakye (16/3).

Parashikimi: 1

 

Gjermani / Bundesliga 2

 

Hannover – Kaiserslautern

Hannover ka shansin e artë të kapë kreun e tabelës në Bundesligën 2, kur të presë sot në mbrëmje Kaiserslautern-in, emër i madh, por larg lavdisë së vet. Pa humbje prej 7 ndeshjesh, Hannover është dukshëm superior dhe kuotohet si favorit i madh sot, ndaj një rivali që e nis vitin me trajner të ri, Norbert Meier, por zor se vjen kthesa e madhe. Për sot Hannover nuk ka mungesa, ndërsa për miqtë është në Kupën e Afrikës sulmuesi Zoua (9/3).

Parashikimi: 1

 

Francë / Liga 2

 

Red Star – Reims

Red Star arriti një fitore të bujshme javën e shkuar në Brest, duke i dhënë suksesin e parë trajnerit të ri Claude Robin. Tani skuadra pariziene shpreson të befasojë sërish, kur të presë sot Reims-in, që ka fituar vetëm një nga 4 ndeshjet e fundit dhe tashmë ka zbritur në vendin e pestë, por mbetet një skuadër shumë cilësore dhe me një fitore sot merr vendin e dytë. Për ndeshjen e sotme Red Star është pa sulmuesin e pezulluar Ngamukol (21/3), por kthehet nga pezullimi sulmuesi Sane (18/3), ndërsa për miqtë është në Kupën e Afrikës mbrojtësi Hamari Traore (16/2).

Parashikimi: 0-2 gola, FF2

 

Portugali / Superliga

 

Setúbal – Benfica

Setúbal-i në formë, me 4 fitore në 6 ndeshjet e fundit, u eliminua nga Kupa e Ligës mesjavën e shkuar, një goditje e rëndë, që mund të ndihet sot, në sfidën shtëpiake kundër Benfica-s. Edhe miqtë janë në vështirësi, sepse nuk fitojnë prej 4 ndeshjesh, janë eliminuar nga Kupa e Ligës dhe kanë pësuar 8 gola në 4 ndeshjet e fundit. Gjithsesi, Benfica nuk është mundur në asnjë nga 21 përballjet e fundit direkte me Setubal-in dhe duhet të fitojë patjetër sot, për të mbajtur larg Porto-n e vendit të dytë. Edhe sot Benfica është pa mesfushorin e rëndësishëm Fejsa (15/0), i dëmtuar, por vendasit janë pa sulmuesin e pezulluar Costinha (18/0) dhe pa sulmuesin Nuno Santos (13/0), i cili është i huazuar nga Benfica.

Parashikimi: 2

 

Share: