Ljuis Hamilton rikthehet të jetë kampion bote një garë para mbylljes së sezonit në Formula 1. Sipas llogaritjeve në Mercedes, me Vetel të parin mjaftonte vendi i pestë për Hamilton. Gjermani nisej i pari dhe britaniku i treti, por që në xhiron e parë konfirmohet se teoria dhe praktika janë larg nga njëra–tjera, edhe pse shpesh me përfundime të njëjta, si në këtë garë.

Pas kthesës së parë Verstapen merr kryesimin pas një kontakti me Vetel, por në vazhdim gjermani ka edhe një kontakt me Hamilton. Të dy përfundojnë në bokse dhe në fundin e garës.

Me këtë situatë të krijuar, për Verstapen ishte një lojë “adoleshentësh” për të mbajtur këtë pozicion deri në fundin e garës. Pas tij në pod vendosen dy finlandezët Botas dhe Raikonen.

Për dy rivalët për titull e gjitha ishte një garë në “malore” dhe në luftë parakalimesh, por pa u përplasur më me njëri–tjetrin. Vetel e përfundon garën i katërti, duke vendosur edhe rekordin e ri të pistës së Meksikës.

Ndërsa Hamilton, i cili dhuroi emocione vetëm në duelin me Alonson, e përfundoi garën i nënti. Por aq mjafton që Hamilton të shpallet për herë të katërt kampion bote, i treti me Mercedes. Me këtë titull Hamilton barazon titujt me rivalin e tij të Ferrarit, Vetel, si dhe bëhet britaniku me më shumë tituj në Formula 1.

Share: