Çmimi i Madh i Britanisë së Madhe ka një pronar dhe ai quhet Ljuis Hamilton. Anglezi triumfoi edhe sot, për të katërtin vit rresht dhe të pestin në total, duke u bashkuar me mite si Alen Prost e Xhim Klark.

Delir total në Angli, ku Hamilton zhvilloi garën perfekte, ndërsa vuajti shumë Sebastian Fetel. Ferraristi ishte gjithë në garën në luftë për vendin e tretë, por në xhiron e fundit makina e tij pësoi difekt dhe me vuajtje e çoi deri në finish, duke e mbyllur i shtati.

Pozicion i mjaftueshëm për të ruajtur kreun, gjithsesi, por tashmë Hamilton është vetëm një pikë larg.

Super garë nga Valteri Botas, guximtar deri në fund, duke ia rrëmbyer vendin e dytë Raikonenit dy xhiro para fundit, çka tregon epërsinë e Mercedesit ndaj Ferrarit.

I katërti Verstapen, i pesti Rikardo, autor i parakalimeve pa fund.

Share: