Ivan Gvozdenoviç aktualisht është pjesë e skuadrës së Kukësit në rolin e ndihmëstrajnerit, ndërkohë që nesër në Shqipëri luan Partizani i Beogradit ndaj Skënderbeut. Ish-mbrojtësi ka luajtur edhe për korçarët, teksa për mediat serbe ka deklaruar:

“E vlerësoj Partizanin si një ish-rival i madh i imi. Është klub serb, ndër të tjera. E respektoj edhe Skënderbeun, kam kaluar 3 vite të mrekullueshme aty, u shpalla kampion 3 herë, kam marrëdhënie të mira me presidentin Takaj dhe kam ruajtur kontaktet me 8 ish-shokë skuadre. Fitoftë më i mirë dhe për sa më përket mua personalisht, do të shoh Crvena Zvezdën kundër Arsenalit”.

Zëvendëstrajneri i Kukësit nuk mbështet asnëjrin ekip: “Do të jem neutral, nuk më intereson kush fiton dhe nuk bëj tifozllëk”. Më tej ai bën “spiunin”, duke zbërthyer skuadrën e Skënderbeut, teksa flet për modulin me të cilin luan trajneri Daja, si dhe për dobësitë”.

 “Skuadra është ndërtuar në mënyrë mjeshtërore, për 5 vite lojtarët luajnë së bashku. Njihen shumë mirë me njëri-tjetrin, kanë lidhje shumë të fortë. Nuk ishte thjesht fat kualifikimi ndaj Dinamos së Zagrebit, përkundrazi. Trajneri Daja ka në dispozicion dy skuadra dhe bën rotacion me sukses, duke mos humbur në cilësi. Kam punuar për një vit te Tirana me të, është trajner i zoti, punëtor dhe me mentalitet sulmues. Zakonisht luan me 4-3-3, ndërsa në Europa League përdor më shumë 4-2-1-3 dhe 4-1-4-1”.

“Prapavija është paksa e ngadaltë, pa shumë vrull. Gjithsesi, kam kohë që nuk e shoh Partizanin dhe do të ishte budallallëk që të jepja ndonjë këshillë për trajnerin Xhukiç”.

 

 

 

 

Share: