Shqipëria vazhdon të ftojë në Kombëtare lojtarë me origjinë nga Kosova. Trajneri Kristian Panuçi po planifikon listën për ndeshjen me Norvegjinë që luhet në mars dhe një tjetër talent është piketuar. Në sfidën me Turqinë risitë ishin Kamer Qaka dhe Astrit Ajdareviç, ndërsa këtë herë mund të vijë Edon Zhegrova, sulmuesi 18-vjeçar i Genkut në Belgjikë.

“Kam marrë ftesë zyrtare nga Kombëtarja A e Shqipërisë për ndeshjen përballë Norvegjisë dhe jam shumë i lumtur për këtë. Nga përfaqësuesja A e Kosovës akoma nuk kam marrë as edhe një ftesë, përveç përfaqësueses U21. Këto ditë do të vendos për cilin shtet do të luaj”,  deklaron Zhegrova për “gazetablic.com”.

Eroll Salihu, sekretari i FFK, nga ana tjetër ka reaguar, duke thënë: “Lojtari është 18 vjeç dhe ka marrë ftesën nga përfaqësuesja U21 dhe sigurisht është në planet tona. Ne i kemi dhënë rastin të vijë të luajë për U21 dhe gradualisht do të ftohet edhe nga përfaqësuesja A. Do t’i zgjidhim shumë shpejt me Federatën e Shqipërisë këto çështje , sepse nuk shkon kështu më, Federata e Kosovës do të reagojë shumë shpejtë dhe do t’i mbrojmë lojtarët tonë”.

Share: