Përgatiti për Sportal.al, ELTON ÇELA

Gjilani është një ndër qytetet më të mëdhenj në Kosovë, i vendosur në pjesën juglindore në krahinën e pasur të Anamoravës. Një rajon fushor, i rrethuar nga male dhe me një klimë të ftohtë: këtu është matur temperatura më e ulët në trevat shqiptare, -32˚C. Dallohet edhe si qendër transporti, për prodhimin e duhanit, industrinë tekstile, artizanatin, por edhe jetën sportive. Në Gjilan njihet ekipi i Dritës në basketboll, hendboll, volejboll, por edhe futboll. Ajo që e bën edhe më interesant këtë qytet, ashtu si në pak qytete shqiptare, këtu kemi dy skuadra, që prej 20 vitesh kanë krijuar një rivalitet të madh në futboll. Gjilani thirret si “Italia e vogël”. Edhe pse nuk është një Milan–Inter, Torino–Juventus apo Roma–Lacio, është Gjilani–Drita, një nga ndeshjet derbi më të “zjarrta” të shqiptarisë, pse jo dhe më i zjarrti.

SEZONI AKTUAL
Drita është skuadra më historike e qytetit dhe prej tre sezonesh të dy skuadrat janë në Superligën e Kosovës. Kështu, Gjilani është i vetmi qytet me dy skuadra në elitën e futbollit të Kosovës. Interesant është fakti se në dy sezonet e fundit, KF Gjilani ‘95 e ka mbyllur sezonin më mirë se Drita, duke qenë pjesë e pesëshes së parë. Ndërkohë skuadra e Dritës, prej tre sezonesh e siguron qëndrimin në kategori nga ndeshjet “play-out”. Në këtë sezon Drita është më lart në renditje, e treta me 29 pikë, ndërsa Gjilani vetëm e teta me katër pikë më pak. Takimi i fazës së parë u mbyll në një barazim 1-1, duke treguar se sa i vështirë është të fitohet ky derbi.

Image may contain: 10 people, crowd, stadium and outdoor

ATMOSFERA
Ky është një nga ato derbi që ndryshojnë qytetin dhe prej gati 20 vitesh në atmosferën e Gjilanit ndihet ajo që jep derbi. Përgatitjet në qytet fillojnë javë më parë, ndërkohë që qyteti mbushet me ngjyrat e dy ekipeve. Në njërën anë janë bardhekaltrit e Dritës dhe në krahun tjetër bardhekuqtë e Gjilanit. Madje ky është një ndër ata derbi që e ndan qytetin në dy pjesë, por jo vetëm, sepse ndan në dy pjesë shpesh edhe kolektive pune, grupe shoqërore, por edhe familje. Ndërkohë dita e ndeshjes i dërgon të gjithë në stadium dhe secili kërkon fitoren për skuadrën për të cilën bën tifo.

Image may contain: one or more people, crowd and outdoor

TIFOZERITË
Ajo që e bën më të bukur këtë sfidë janë edhe dy grupet tifozerike, ndër më të zjarrta në trojet shqiptare. Mbështetësit e Dritës janë “Intelektualët”, ndërsa ata të KF Gjilanit janë “Skifterat”. Të dyja këto tifo-grupe ndjekin skuadrat respektive jo vetëm në Gjilan, por edhe në transfertë. Sigurisht që kulmi i tregimit të forcës së tyre është derbi.

Së fundmi këto dy tifo-grupe kanë pjesë të tyre edhe një numër të konsiderueshëm femrash, duke i dhënë një tjetër shije “derbit”. Stadiumi i Gjilanit mbushet me kapacitet të plotë sa herë ndeshen këto dy skuadra, madje me mijëra tifoz të tjerë mbeten jashtë. Rekordi u arrit në qershor të 2001, kur dy skuadrat u përballën në finalen e Kupës dhe Stadiumi i Prishtinës u mbush me 22 000 tifozë.

HISTORIA
Drita e Gjilanit është skuadra e parë e krijuar në qytet, në vitin 1947, si trashëgimi e klubit të parë të futbollit gjilanas që prej vitit 1919. Kjo skuadër ka fituar një herë titullin kampion të Kosovës dhe një herë Kupën, duke qenë edhe skuadra e vetme që ka sjellë titullin në Gjilan. Problemet gjatë sundimit jugosllav kanë qenë të mëdha, teksa skuadra u shkri për t’i dhënë rëndësi skuadrës së re komuniste të qytetit, Crevena Zvezda.

Por në vitin 1977, mes shumë problemesh, Drita do të rikrijohej dhe do të niste rrugën nga Liga e Dytë në atë të Parë të Kosovës. Periudha e artë e Dritës ishin sezonet nga 2009-2013, ku skuadra jo vetëm fitoi të vetmin titull kampion dhe Kupën, por edhe shkoi në finale e Kupës dhe dy herë doli nënkampionë, duke u shfaqur dominuese në futbollin e Kosovës së pasluftës.

KF GJILANI ’95
Klubi tjetër gjilanas, i krijuar në vitin 1995, e ka kaluar historinë e vet mes Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës. Të vetmin trofe kanë Kupën e Kosovës, fituar në vitin 2001. Skuadra ka një histori të shkurtër, por të suksesshme. Këtë e ka treguar në dy sezonet e fundit, por ende nuk mbërritur tek titulli.

Image may contain: outdoor

STATISTIKAT MES TYRE
Një histori rivaliteti 20-vjeçar ka përballur njëra me tjetrën këto skuadra, në sfida që shpesh kanë surprizuar dhe shpesh kanë konfirmuar skuadrën më të mirë në rezultate. Janë 18 sfida në kampionat mes këtyre dy skuadrave, që avantazhojnë Dritën me 7 fitore, 6 barazime dhe fitoret e KF Gjilanit janë 5. Golavarazhi i deritanishëm është 25-19 në favor të Dritës.

Po ashtu nuk kanë munguar as derbit në kupë, ku Drita numëron 3 fitore dhe Gjilani dy. Një ndeshje është mbyllur në barazim. Kjo ka ndodhur në finale e Kupës, kur dy skuadrat e kanë mbyllur në një barazim 1-1 dhe Drita e ngriti Kupën pas gjuajtjes së 11- metërshave me rezultatin 6-5. Kjo ndodhi në sezonin 2000-2001

Interesant është fakti, që edhe pse skuadra të një qyteti, shënohet vetëm një takim miqësor mes tyre për të shmangur rivalitetin mes skuadrave dhe tifozerive. Ndeshja e vetme miqësore është luajtur në verën e vitit 1999, e mbyllur në barazim 1-1. Drita sërish fitoi nga penalltitë 4-3. Në këtë ndeshje ishin plot 15000 tifozë për të treguar më shumë mbi përplasjen mes skuadrave.

Kështu, në 24 ndeshjet derbi të luajtura në kampionatet e pasluftës, pavarësisht kompeticionit, kemi Dritën të avantazhuar me 12 fitore, Gjilani 7 fitore dhe 5 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Golaverazhi është 39-30, sërish në favor të Dritës. Ndërkohë në këto statistika Gjilani ka dy fitore në tavolinë, 3-0.

Image may contain: 2 people, crowd, sky and outdoor

DERBI I ZJARRTË
Shumë e cilësojnë si derbin më të zjarrtë, jo vetëm të Kosovës, por edhe të shqiptarisë, duke kaluar edhe atë Tirana–Partizani. Po ashtu cilësohet si një ndër 3 ndeshjet derbi më të mëdhenj lokal në Ballkan, ndër 25 në Evropë dhe ndër 50 ndeshjet derbi më të zjarrtë në botë.

Një derbi që ndryshon qytetin përgjatë javës, që do të luhet dhe sidomos 2-3 ditët përpara sfidës, gjë që zbukuron dhe i jep zjarr qytetit. Pa frikë mund të thuhet: sa herë luhet ky derbi, qyteti Gjilanit kthehet në kryeqytetin shqiptar të futbollit. Kështu pritet të jetë edhe sot, kur vëmendja e opinionit sportiv do jetë fokusuar në këtë takim.

Image may contain: 2 people, crowd and outdoor

Share: