Mes Bashkisë së Kukësit dhe klubit të futbollit, të financuar nga Safet Gjici, marrëdhëniet janë krejtësisht formale, madje numri një i klubit verilindor thekson se bashkia nuk i ka përmbushur detyrimet e veta.

Kjo situatë ka qenë prej kohës dhe mes palëve ka pasur edhe debate të tjera më parë në lidhje me këtë çështje, por së fundmi u duk se diçka do të ndryshonte.

Bashkim Shehu, kryebashkiaku i Kukësit, deklaroi një ditë më parë se i janë kaluar klubit 100 milionë lekë, ndërkohë që në lidhje me stadiumin u shpreh se janë të gatshëm të ndërhyjnë në të, mjafton që qeveria të japë fondin.

Nisur nga kjo deklaratë, është presidenti Gjici ai që ka reaguar dhe ka paralajmëruar se do të shkojë në gjyq, pasi bashkia u detyrohet 1.5 miliardë lekë.

“Bashkia ka pa dhënë 1.5 miliardë lekë të vjetër, aksionet e veta me vendime të Këshillit bashkiak të miratuar prej pesë vitesh. Qeveria, kur të jep financimet e ndërton vetë, se bashkia s’ka bërë ndonjëherë stadium, por të paktën të japë pagesat për klubin, aksionet e veta. Ne kemi përgatitur dosjen për në gjykatë. Janë katër ekipe që i mban vetëm klubi, pa asnjë ndihmë të bashkisë. Bashkia na ka premtuar që do paguajë aksionet, por deri tani asgjë. Nëse këtë muaj nuk i paguan, do t’i drejtohemi gjykatës”, ka thënë Gjici në “Panorama Sport”.

Share: