Verë e vitit 1997. Në moshën 19-vjeçare, Xhenaro Gatuzo, transferohej nga Peruxhia te Gllazgou Reinxhers, e kundërta e Sëlltikut dhe anasjelltas. Futbolli skocez është një eksperiencë e re për mesfushorin italian. Vit i bukur, por Salernitana e sapo ngjitur në Serinë A, rikthen Gatuzon në shtëpi. Mesfushori bën një sezon shumë të mirë në aspektin personal, por javën e fundit Salernitana bie, duke u kthyer nga kishte ardhur. Milani ishte shpallur kampion dhe blen Gatuzon. Vera e vitit 1999. Aty nis eksperieca e kalabrezit me kuqezinjtë dhe pjesa tjetër është histori.

Gatuzo, tashmë në krye të stolit të Milanit, në një prononcim për “Four Four Two”, flet për vitin skocez, kur luante me Reinxhers.

Kam kujtime të bukura nga sezoni me Reinxhers. Sëlltiku na e mori titullin vetëm për dy pikë, por e kam dashur dhe do e dua gjithmonë atë periudhë. Ishte Gllazgou që më bëri të mendoja si futbollist profesionist. Kur isha te Peruxhia, më mungonte diçka nga ana psikologjike. Nuk ndihesha shumë i fortë dhe kisha frikë të gaboja, por në Skoci u përmirësova. Aty e kuptova që mund të bëja një karrierë në nivele të larta. Pastaj te Gllazgou kam patur fatin të luaja me lojtarë të mëdhenj si Brian Laudrup, Xhonas Thern dhe Paul Gaskojn“.

Gatuzo ndalet te ky i fundit. Gjeniu i çmendur anglez. Paul Gaskojn, i njohur ndryshe dhe si Gaza. Historitë e tij nuk mbarojnë kurrë, por Gatuzo tregon si e “mikpriti” anglezi dhe nuk harron së përsërituri zemren e tij të madhe.

Gaza ndoshta nuk ishte më i miri nga aspekti i sjelljes, por e falenderoj gjithsesi. Më jepte gjithmonë shumë këshilla të rëndësishme, për të më ndihmuar të përshtatem në një realitet të ri, siç ishte Gllazgou për mua. Do e kujtoj gjithmonë për mirë Gazën edhe pse nuk ja harroj kurrë, kur kreu nevojat personale të çorapet e mija. Ndodhi në fund të stërvitjes time të parë me ekipin. Përveç këtij rasti, ai është treguar gjithmonë i sjellshëm me mua. Dua që njerëzit ta kujtojnë për zemren e tij të madhe.

Në ekip kishim një kod veshje. Rregull i klubit. Jashtë fushës, duhet të visheshim të gjithë njësoj. Të gjithë elegantë. Një ditë u futëm në një dyqan dhe Gaza më bleu 4-5 veshje të bukura. I kishte thënë klubi ta bëntë këtë veprim. Paratë e harxhuara do më zbriteshin nga rroga. Ndodhte me të gjithë njësoj. Më vonë pyeta shokët se kur duhet ta paguaja këtë borxh dhe ata mu përgjigjen: ‘E ka zgjidhur Gaskojn këtë muhabet’. Ishte një personalitet me zemër të madhe”.

 

 

Gatuzo-reinxhers

 

 

gatuzo-gaskojn

Share: