Është një nga vajzat më të bukura dhe më të ndjekura të ekranit. Historia e saj me televizionin nisi në moshë shumë të re, si një nga figurat qendrore të Agon Channel, por tashmë mund të cilësohet si një ndër moderatoret më seksi dhe më të preferuara të programeve sportive.

Tifozët shqiptarë në mbrëmjet e Champions League nuk mjaftohen vetëm me supersfidat e kompeticionit më të rëndësishëm evropian apo analizat e specializuara në studiot e Tring Sport, por edhe me batutat dhe kënaqësinë që jep në studio Eva Murati. Prezantimi i SportWeek në fundjavë e plotëson atë si një nga figurat më të dashura ndër moderatoret e sportit, që vitet e fundit në Shqipëri janë kthyer në një trend.

Së shpejti atë do e shohim edhe në kinema, pasi është duke zhvilluar xhirimet e filmit “Njeriu me këmishë”. Me çiltërsinë që e karakterizon ajo pranoi të zhvillonte një intervistë në Sportal.al.

Interesante është edhe lidhja që ka krijuar me ndjekësit e saj dhe postimet e “meme”-ve, që dukshëm i ka shtuar edhe popullaritetin në rrjetet sociale.

INTERVISTOI PËR SPORTAL.AL: ELTON ÇELA

-Eva, si erdhi kjo lidhja jote me futbollin në studion e Tring? A keni pasur lidhje të mëparshme me sportin? A jeni një tifoze futbolli?

Eva: Gjithnjë kam patur një lidhje të ngushtë me sportin, në lojë më konsiderojnë si natyre tepër kompetitive dhe as vetë nuk e fsheh këtë, por kjo eksperiencë më mësoi diçka të re. Padyshim Champions më ka mësuar ta kuptoj se çfarë përfaqëson futbolli, është një magji që i përfshin të gjithë, pavarësisht diferencave përkatëse, prandaj unë ashtu si shumë të tjerë para meje, kam mësuar ta dua shumë.

-Jeni kthyer në një muzë të Ligës së Kampioneve në Shqipëri. Çfarë ndjesie ju krijon ky fakt?

Eva: Më beson kur të them se jam më e lumtura në botë? Shpesh më komplimentojnë për energjinë dhe pozitivitetin. Epo e gjitha kjo vjen nga mbështetja e madhe që më kanë dhënë ndjekësit! Kurrë nuk do ta kisha besuar se mund të ndodhte kështu. Me futbollin eca në një rruge të pashkelur më parë dhe nëse kritika nuk do të ishte kaq pozitive, ka shumë mundësi që do të isha tërhequr.

eva1

-Keni krijuara një lidhje interesante me fansat në rrjetet sociale. A ke patur oferta nga fansat për të njohur edhe në jetën e përditshme?

Eva: Përpiqem t’i falënderoj personalisht secilin prej fansave të mi, sepse vërtet që ma bëjnë ditën më të bukur me komentet e tyre. Sigurisht që disa prej tyre dëshirojnë të me njohin më shumë, pavarësisht se jam përpjekur ta shmang për të evituar keqkuptimet.

-Kush skuadër të ka bindur më tepër nga 16 skuadrat e kualifikuara se do të jetë triumfuesja në këtë sezon?

Eva: Të flasësh për skuadrën që të bind, aq më tepër në Champions League, është diçka e vështirë. Nuk po flasim për skuadra të zakonshme, po flasim për një kompeticion yjesh, “creme de la crème”, elita e futbollit evropian, prandaj të veçosh një mbi të tjerat është tepër e vështirë. Unë sigurisht bëj tifo për skuadrat e mia të zemrës, por për fituesin na duhet të presim dhe të shohim çfarë kanë vendosur zotat e futbollit.

-Pas hedhjes së shortit, Liga e Kampioneve do të jetë në një pushim deri në shkurt. Ku do e shohim Evën në këtë periudhë?

Eva: Në takimin e përjavshëm në SportsWeek, emisionin informativ rreth të rejave më të fundit nga bota e sportit. Gjithashtu momentalisht jam angazhuar me xhirimet e filmit “Njeriu me Këmishë”, film artistik me metrazh të gjatë, që pritet të dalë së shpejti. Po xhirojmë në Shqipërinë e veriut, zona përreth Kukësit, Krahina e Lumës, prandaj edhe shkëputja nga Champions ndodhi fiks në momentin e duhur, pasi kur pranoj një projekt kam dëshirë t’i futem me themel.

eva2

-Moderimi i programeve sportive nga vajzat e bukura tashmë është një trend edhe në Shqipëri? Cili është vlerësimi yt për këtë?

Eva: Trendin nuk e bëmë ne, kjo ishte një formulë e gatshme e marrë nga televizionet e huaja ose programet simotra të programeve sportive shqiptare. Padyshim që pasja e një figure femërore në studio është diçka pozitive, por shpeshherë kjo e mirë e ka edhe një kurth. Shoh shpesh të abuzohet me këtë. Ilaria D’Amico, Diletta Leotta janë vajza që përveçse të bukura, edhe profesioniste të fushës, tepër të mirëinformuara. Studiot sportive nuk duhet të plotësojnë me patjetër kuotat gjinore për të patur femra në studio, prandaj mirëinformimi është arma më e mirë për ato vajza që duan vërtet të kenë një imazh serioz.

-Cila është kolegia që vlerëson më tepër në të tilla programe në Shqipëri? Po në botë?

Eva: Në botë padyshim Ilaria D’Amico, e kam ndjekur që në fillim tek “Sky Calcio” e deri tek eksperimenti me emisionin politik “Exit”. Frymëzohem prej saj, di ta zhvillojë bisedën në studio në një atmosferë tepër të këndshme, pa humbur në asnjë moment profesionalizmin me batuta të zgjuara, por dhe me afrimitetin që një prezantuese duhet të ketë për ta bërë publikun dhe të ftuarit të ndjehen rehat.

eva3

-A ndjek Eva futboll shqiptar? Cila është skuadra që bën tifo në Shqipëri?

Eva: Përpiqem, por jo shpesh. Pjesa më e madhe e energjisë dhe vëmendjes sime shkon për atë çka ndodh në arenën ndërkombëtare, pasi vetë Champions të obligon në një fare mënyre. Bëj tifo për Partizanin.

-Keni ndonjë projekt të ri në televizion? Qoftë ky edhe në të ardhmen.

Eva: Momentalisht jo, jam tepër e kënaqur me atë çka më ka ofruar viti që lamë pas, mendoj se jam mjaft e ngarkuar me dy emisione, shkollën, filmin dhe lëre për të kërkuar më shumë. (qesh)

-Ku ndiheni më e  plotësuar në studion e Ligës së Kampioneve apo SportWeek?

Eva: SportsWeek erdhi natyrshëm, si një plotësim i figurës time sportive.  Unë vazhdimisht lexoja që të isha sa më e përditësuar me lajmet e fundit sportive, pse të mos bënim një emision për këtë?  Natyrisht parësore për mua mbetet Champions, aty përjetohet adrenalina e një programi të madh, ku përgjegjësia është e madhe, ashtu sikurse shikueshmëria.

eva4

Share: