Angli / Premier

 

West Ham – Man City

West Ham-i është zgjuar më në fund dhe dy fitore rresht e kanë ngjitur ndjeshëm në renditje, duke qenë tashmë 12 pikë mbi zonën e ftohtë. Me 5 fitore në 7 ndeshjet e fundit në kampionat, skuadra londineze pret me qetësi sfidën e sotme kundër Manchester City-t, që ka fituar vetëm një nga 4 ndeshjet e fundit në kampionat, edhe pse luajti mirë ndaj Tottenham-it dhe fitoi lehtësisht ndaj Crystal Palace në ndeshjen fundit, në Kupën FA. Tashmë synimi i vetëm është vendi i katërt, ndaj ndalohen gabime të tjera dhe sot kuotat me të drejtë anojnë nga “Qytetarët”, që i kanë shënuar gjithmonë me lehtësi West Ham-it këto vitet e fundit, por po pësojnë gjithashtu shumë gola këto kohë. Për ndeshjen e sotme West Ham-i është pa mbrojtësin Ogbonna (19/0) dhe disa lojtarë të tjerë, të dëmtuar prej kohësh, ndërsa sulmuesi André Ayew (12/1) mbetet në Kupën e Afrikës me Ganën. Për miqtë mbetet jashtë i dëmtuari i zakonshëm Gündogan (10/3), por në dyshim është edhe sulmuesi kryesor Aguero (16/11).

Parashikimi: Gol/gol, 3+

 

Man United – Hull City

Manchester United ndeshet për herë të tretë në 20 ditët e fundit me Hull City-n, pas dy përballjeve në Kupën e Ligës, ku triumfoi duke vuajtur jo pak në kthim United. Gjithsesi, “Djajtë e Kuq” janë dukshëm superiorë dhe sot luajnë në shtëpi, ku i kanë fituar 5 ndeshjet e fundit kundër Hull-it dhe nuk njohin humbje prej shtatorit. Ndërkaq, Hull vjen nga 9 humbje rresht jashtë fushe dhe janë sërish “të gjymtuar”, sepse mesfushori Elmohamady mbetet në Kupën e Afrikës dhe shumë lojtarë janë të dëmtuar ose në dyshim.

Parashikimi: 1, jo/gol

 

Stoke City – Everton

Stoke City e Everton e kanë nisur shkëlqyeshëm vitin e ri dhe sot përballen në një ndeshje mjaft interesante, por edhe të vështirë për t’u parashikuar. Everton-i i ka fituar dy ndeshjet e fundit në Stoke, një fushë mjaft e vështirë për çdo klub, ndaj shpreson t’ia dalë mbanë edhe sot, sepse është në formë perfekte dhe ka rigjetur entuziazëm edhe falë disa afrimeve mjaft cilësore në janar. Për sot Stoke mund të hedhë në fushë sulmuesin e afruar nga West Brom-i, Saido Berahino, por është i dëmtuar sulmuesi Walters (17/2), ndërsa për miqtë do të mungojë mesfushori Idrissa Gueye (19/0), sepse sapo është kthyer nga Kupa e Afrikës.

Parashikimi: X

 

Angli / Championship

 

Blackburn – Leeds

Blackburn-i ka fituar vetëm dy nga 10 ndeshjet e fundit në Championship, duke mundur bujshëm dy herë Newcastle-in e frikshëm, por është tashmë në fundin e tabelës. Për këtë arsye, sot luan një ndeshje tepër delikate kundër Leeds-it, që në kampionat po shkëlqen, por vjen nga një eliminim tronditës në Kupë FA, ndaj Sutton-i amator. Për sot Blackburn është i plotë, ndërsa miqtë kanë probleme në mbrojtje, sepse Charlie Taylor (22/0) është i dëmtuar dhe Cooper (8/0) është i pezulluar.

Parashikimi: FF2

 

Burton – Fulham

Burton fitoi fundjavën e shkuar në Londër ndaj QPR-së, duke siguruar suksesin e dytë sezonal jashtë fushe, ndërsa sot presin Fulham-in dhe shpresojnë t’i japin fund serisë prej 4 humbejsh rresht në fushën e vet. Miqtë janë në formë të shkëlqyer, sepse mposhtën bindshëm Hull-in fundjavën e shkuar në kupën FA dhe janë pranë zonës play-off. Për sot Burton është pa mbrojtësit e dëmtuar McFadzean (20/1) e Brayford (21/0), ndërsa miqtë janë të plotë.

Parashikimi: FF2

 

Newcastle – QPR

Newcastle luajti me rezerva javën e shkuar në Kupën FA dhe u turpërua në Oxford. Gjithsesi, synimi i vetëm është kthimi në premier Ligë dhe askush në klub nuk është shqetësuar shumë nga humbja në kupë. Sot Newcastle kërkon të reagojë, kur të presë QPR-në në kampionat. Përballë është një rival pa ndonjë synim madhor veç mbijetesës së qetë, sepse duket qartë që i mungon cilësia dhe forca për më shumë. Për ndeshjen e sotme Newcastle mbetet pa sulmuesin e rëndësishëm Dwight Gayle (22/20), i dëmtuar, por gjithsesi shanset për “1”-sh janë të mëdha, kundër një rivali që është mundur në 9 nga 11 vizitat e fundit në Newcastle.

Parashikimi: 1

 

Itali / Seria A

 

Pescara – Fiorentina

Pescara e Fiorentina luajnë sot një ndeshje të prapambetur ku barazimi është si një disfatë për të dyja palët. Pescara ka bërë disa përforcime këtë janar, me shpresën se do të arrijë të rifutet në garë për mbijetesë, edhe pse duket e pamundur. Ndërkaq, Fiorentina kërkon të lërë pas barazimin dëshpërues ndaj Genoa-s dhe sot synon 3 pikët që e kthejnë në garë për vendin e pestë. Ndonëse dukshëm superiore, Fiore ka probleme të mëdha formacioni, sepse mbrojtësi Gonzalo Rodriguez është i dëmtuar dhe me të në infermieri është bashkuar edhe sulmuesi kryesor Kalinic, ndërsa qendërmbrojtësi Astori dhe mesfushori Bernardeschi janë të pezulluar.

Parashikimi: 2/3+

 

Itali / Kupë

 

Roma – Cesena

Roma do të kërkojë sot të reagojë pas humbjes dëshpëruese në kampionat ndaj Sampdoria-s, që praktikisht i ka dhënë fund garës për titull. Sot Roma është dukshëm favorite në kupë, sepse pret Cesena-n e Serisë B, që ka habitur deri tani, sepse në kampionat po vuan, por në kupë ka shkëlqyer, duke eliminuar edhe Sassuolo-n në janar. Për sot Roma mbetet pa sulmuesin e rëndësishëm Salah, si dhe mund të qëndrojë në stol mbrojtësi Manolas, ende larg formës së plotë fizike, ndërsa Cesena nuk ka probleme të reja dhe do të hedhë në fushë më të mirët.

Parashikimi: 1/3+

Share: