Feronikeli është ankuar në UEFA në lidhje me licencimin e klubeve që do të marrin pjesë në Kupat e Europës, teksa sipas tyre ka pasur falsifikime të dokumentacioneve të klubeve, të cilat janë dorëzuar dje në institucionin më të lartë të futbollit në Europë.

“Ne i kemi dërguar shqetësimet tona në UEFA, ku kemi sqaruar situatën momentale. UEFA na ka treguar adresën ku mund ta dërgonim ankesën tonë dhe ne e dërguam komplet dosjen tonë në shtëpinë e futbollit evropian, me dokumente të faktuara rreth parregullsive dhe falsifikimeve që janë bërë në procesin e licencimit”, është shprehur për gazetën “Zëri” Ekrem Elshani, kreu i Feronikelit.

Kampionët e Kosovës në dy vitet e fundit pretendojnë se ka falsifikime të bëra në tatime, ndërkohë që edhe Prishtina është ankuar për procesin e licencimeve. Krahas animimit në UEFA, Feronikeli pritet të dërgojë çështjen në Prokurori, pasi falsifikimi i bërë bie ndesh me ligjet e përfshira në Kodin Penal të Kosovës.

Këtë vit UEFA licencoi katër klube, ku veç Prishtinës dhe Feronikelit, u licencuan edhe Llapi e Trepça ’89.

Share: