Short super i favorshëm ai i çerekfinaleve të Ligës së Europës për Mançester Junajtid, që do të përballet me Anderlehtin. Skuadra belge eliminoi me lehtësi APOEL-n qipriot në turin e shkuar, por është e qartë që niset dukshëm inferior ndaj “Djajve të Kuq”.

Sfidë mjaft interesante ajo mes Ajaksit e Shalkes, me holandezët që kanë nga ana e vet historinë e madhe në kupat e Europës, por Shalke eliminoi Gladbahun dhe ka një skuadër cilësore, pavarësisht se këtë sezon nuk ka shkëlqyer.

Lioni, pasi eliminoi Romën, shpreson të ruajë ritmin e shkëlqyer të muajve të fundit, kur të ndeshet me kampionët turq të Beshiktashit, që po zhvillojnë një sezon fantastik dhe ka kohë që kanë vendosur finalen në shënjestër.

Selta Vigo më në fund nuk shkon në lindje, sepse tani do të përballet me Genkun, fitues në derbin kundër Gentit dhe tashmë përfaqësuesi i Belgjikës së bashku me Anderlehtin, në këto çerekfinale.

Share: