Moti i keq dhe me shira që ka prekur Italinë u ndje edhe në Mizano, ku u zhvillua GP i radhës për Moto GP. Gara nisi në një pistë të lagur dhe me shiun që vazhdonte në trajektore të caktuara të saj.

Është Lorenco që nga vija e dytë e nisjes merr kreun e garës, ndërsa rivalët për titull, Markez–Doviciozo–Vinjales vendosen pas tij.

Surprizën e bëri piloti jozyrtar i Dukatit, Danilo Petruçi, i cili i parakalon të tre dhe pas rrëzimit të Lorencos merr edhe kreun e garës. Këtë vend të parë e mban deri në xhiron e fundit, kur Markez nis manualin e tij të parakalimit dhe merr kreun.

Pas kësaj fitore Markez barazohet në renditjen e kampionatit me Doviciozo me 299 pikë secili. Vinjales është vetëm 16 pikë larg tyre, që tregon se titulli kampion është më i hapur se kurrë në pesë garat e mbetura. Ndërkohë Rosi po largohet nga lufta për titull për shkak të mungesës në garën e sotme, por pritet të mungoj edhe në të radhës.

Share: