Kjo javë e Kategorisë Superiore është shumë e rëndësishme, jo se vendos se kush shpallet kampion apo jep verdiktet e kampionatit, por mund të përcaktojë të ardhmen e bankinave në dy klube të elitës.

Deri më tani zhgënjimi më i madh i kampionatit ka qenë Partizani. Dy ndeshjet e fundit, mes Skënderbeun dhe me Lushnjen, kanë qenë mjaft të dobëta, ndërkohë që në katër javë të kuqtë nuk kanë shënuar asnjë gol.

Aktualisht kanë grumbulluar vetëm dy pikë, falë barazimeve pa gola me Lushnjen dhe Kukësin. Sfida e radhës luhet në Durrës ndaj Teutës dhe një humbje këtë javë do ishte fatale, pasi zor se Gaz Demi do durojë më, edhe pse është vetëm fillimi i kampionatit dhe durrsakët kanë një ekip të mirë e të humbësh me ta nuk është hata.

Kukësi u mposht javën e fundit nga Skënderbeu në shtëpi dhe tashmë diferenca me korçarët është tre pikë. Milinkoviç me të tijtë duhet të fitojnë medoemos ndaj Lushnjes, atëherë edhe pozitat e serbit do të lëkundeshin.

Presidenti Gjici ua ka bërë të ditur lojtarëve dhe stafit që kërkon tre fitore në tre ndeshjet e radhës me Lushnjen, Teutën dhe Luftëtarin, ndaj prova e parë për t’u kaluar është ajo ndaj ekipit të Artan Banos.

Share: