Matija Dvornekoviç, mesfushori kroat i Kukësit, ka folur për “Supersport” para ndeshjes me Skënderbeun, duke theksuar se ekipi i tij do të sulmojë nga minuta e parë, në mënyrë që të fitojë dhe ta festojë titullin kampion para tifozëve.

Ndër të tjera ai pranon se duhet të kenë kujdes, pasi Skënderbeu mund të shfrytëzojë çdo gabim tyrin.

“Le të themi është fundi i sezonit, do të luajmë me Skënderbeun, kundërshtar që ka fituar 6 tituj radhazi.  E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne duhet të mendojmë vetëm për ta fituar këtë takim, që ta marrin trofeun para tifozëve tanë në qytetin e Kukësit. Unë dhe djemtë e tjerë jemi shumë të qetë, të fokusuar te ndeshja jonë, për të dhënë maksimumin. Duhet të jemi në 100% tonë, dhe me ndihmën e Zotit shpresoj ta arrijmë këtë objektiv që i kemi vënë vetes që në fillim të sezonit.”

“Ne do të luajmë vetëm për fitore, por edhe barazimi nuk do të ishte rezultat i keq për ne. Gjithsesi dëshira jonë është të fitojmë dhe ta mbyllim çështjen e titullit para tifozëve tanë. Ne do të sulmojmë që në minutën e parë,  kjo është e qartë. Sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm, sepse Skënderbeu është një kundërshtar shumë i rrezikshëm në të gjitha fazat e lojës. Pra ka shumë cilësi. Kjo skuadër kërkon përqendrim maksimal gjatë gjithë lojës. Nëse gabojmë, do të jenë gati për të na ndëshkuar.”

“Nuk mund të the se titulli kampion do të jetë kulmi i i karrierës sime. Ndoshta do të jetë një hap për diçka më të madhe në të ardhmen.”

Share: