Deklarata e Shpëtim Duros pas ndeshjes me Partizanin ka prodhuar një debat me Sulejman Starovën. Trajneri i Flamurtarit u shpreh se homologu i tij te të kuqtë e kishte zakon të ankohej për arbitrat, ndërkohë që përgjigja për Duron ka qenë më e rëndë.

Në reagimin e tij, Starova thotë se Duro ka ikur me mik në Vlorë dhe uron që ai të rrijë sa më gjatë aty, pasi kështu Partizani nuk do ta ketë konkurrent Flamurtarin.

“Ai ka shkuar në Vlorë me miqësira dhe jo me CV. Mezanin do ta qajë Vlora. Uroj që ai të rrijë gjatë në Vlorë, që mos ta kemi Flamurtarin konkurrent. Partizani ishte dhe është skuadra më e mirë e momentit në Shqipëri dhe, nën drejtimin tim, duke humbur modestinë, është fakt që sa kam vënë këmbën në pankinë i kam mundur të gjithë kundërshtarët, përfshirë edhe trajnerin aktual të Vlorës, të cilit nuk dua t’i përmend emrin. Shpëtim Duro, shoku im i ngushtë, nuk jeton më. Ai është transformuar në një njeri tjetër për shkak të karrierës. Sa për kujtesë, Partizani nuk e humbu kampionatin në Shkodër, pasi në atë ndeshje na ndëshkoi gjyqtari Meta me urdhër të Dukës. Ne nuk prisnim favore në ndeshjen e fundit në Vlorë. Të gjithë e panë që u luajt me një portë dhe të kishim fituar, duke parë edhe penalltinë që nuk u dha. Kishte thënë se unë çdo javë këtë punë kam, që të ankohem për gjyqtarët. Sa për kujtesë, a ishte ky trajner që para një jave në Kukës u shpreh për gjyqtarin se kishte mësuar para kohe zanatin? Besoj se kaq mjafton”, është shprehur Starova për “Panorama Sport”.

Share: