Partizani luan në transfertë të enjten, teksa do të udhëtojë drejt Laçit për t’u ndeshur me vendasit. Një ndeshje që parashikohet e vështirë, me të dyja skuadrat që kërkojnë fitoren.

Te të kuqtë problemi kryesor mbetet sulmi. Sikurse dihet Edgar Çani ende nuk është rikuperuar dhe stafi teknik po e pret. Për të mos mjaftuar mungesa e tij edhe Xhevahir Sukaj ende nuk ka kondicionin e duhur.

Dëmtimin që pësoi në ndeshjen me Luftëtarin e ka lënë pas, por Starova nuk po bindet ta aktivizojë nga minuta e parë.

Provat gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumta me Filin dhe Bardhin të testuar në sulm, por edhe Prognin, të cilin Mark Juliano e kish spostuar si mbrojtës të djathtë. Starova ka dilema për atë që do hedhë në fushë në majën e sulmit.

Share: