Dritan Dervishi, ish-drejtori i Partizanit, ka dhënë një intervistë ku fajëson Sulejman Starovën, Edmond Haxhinë dhe Genc Tomorin për dështimin e të kuqve këtë sezon.

“Loja e Partizanit ka qenë shumë e dobët, kjo jo për fajin e lojtarëve, por për strategjitë e gabuara nga trajneri. Nuk shkohet në ndeshje për të marrë barazimin e për të vënë ‘autobusin’ para portës”, është shprehur fillimisht Dervishi.

Më tej Dervishi deklaron se këta persona duhen larguar nga klubi: “Starova është fajtori kryesor i këtij falimentimi. Bashkë me të fajtorë janë edhe Tomori e Haxhija, pasi ata janë drejtuesit dhe bënë strategjinë sportive e merkato të gabuar. Të shohim kush do të mbajë përgjegjësi dhe të largohet. Besoj se asnjëri, pasi dinë të zvarriten dhe të gjejnë fajtorë të tjerë. Vjet këta zotërinj e gjeten te Dervishi e Agostineli”.

I pyetur se çfarë i mungon Partizanit, Dervishi thekson se nuk i mungon asgjë, por thjeshtë duhet të ikin ata që dështuan me planin e tyre.

“Asgjë, e vetmja gjë që duhet bërë, është të largohen nga klubi këta tre drejtues, pasi ata dështuan. Kush e paguan këtë humbje financiare dhe sportive? Vjet kur mbaroi kampionati u vërsulën drejt meje dhe trajnerit për të na përzënë. Punova me pastërti dhe u gjakosa për ato simbole dhe fitova respektin e tifozëve me punë, jo me llafe. Gjithsesi, ata janë steka të vjetra dhe dinë të luajnë mirë bilardon, duke vazhduar të manipulojnë tifozët”, ka thënë ndër të tjera ish-drejtori i Partizanit në “Sport Ekspres”.

Share: