Ilir Daja, pas fitores me Laçin kishte pakënaqësitë e tij në lidhje me lojën e bërë nga skuadra e tij. Në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ai deklaroi:

“Duhet të jemi më efikasë në situatat para porte, sidomos me skuadra që vijnë në Korçë dhe mbrohen me forca të shumta, megjithatë sot nuk më shqetëson loja e skuadrës, por fakti që me këtë kontingjent lojtarësh, me kaq shumë eksperiencë e cilësi, nuk duhet të marrim goditje emocionale kur pësojmë një gol. Skuadra e çorodit dhe e humbi qetësinë kur pësuam gol dhe bëmë shumë gabime, duke lënë hapësira për kundërsulmin kundërshtar”.

“Rastet e shumta të humbura? E rëndësishme është që sulmuesit tanë shfaqen para portës kundërshtare, por duhet të punojmë më shumë për pjesën e finalizimit, sepse çdo gol i shënuar ndaj rivalëve që mbrohen kaq fort vlen shumë dhe çliron skuadrën. Gjatë ndërprerjes akumuluam energji të rëndësishme, të humbura kohët e fundit, por sot pamë që nuk kemi ende ritmin e duhur, që shpresojmë ta gjejmë kundër Lushnjes, për të qenë më në formë për vazhdimin e kampionatit, por edhe Europa Ligës”.

“Osmani? Kryem një ndërrim të detyruar për një problem në pulpë, nuk e dimë ende shkallën e dëmtimit”.

“Motivimi? Mund të jetë edhe kjo, edhe pse nuk kam qejf ta pranoj që lojtarët e mi vlerësojnë ndryshe rivalin nga rivali, pasi do të ishte problem. Nuk krahasohet ndeshja sot me atë në Kamzë, aty vinim pas ndeshjes në Europa League, sot kishim më shumë kohë për të rikuperuar energjitë. Ndoshta rivalët e konsideruar jodirektë duhen vlerësuar më shumë”.

“Soue po lodhet? Jam dakord që i duhet dhënë pak pushim për të rikuperuar energjitë, por jam i detyruar ta hedh në fushë gjithmonë, sepse Nespor ka probleme fizike dhe nuk mund të aktivizohet. Gjithashtu, jemi pa Gavazajn e Sahitin, ndaj Xhejms është postuar në anësore, duke bërë që Soue të mbajë ngarkesën e sulmit dhe shpresoj të mos pësojë ndonjë dëmtim, sepse realisht po mban një peshë të madhe mbi vete”.

Share: