Arbanis Maxhuni është një ish-futbollist i Vushtrrisë, i cili tashmë ai e ka mbyllur me futbollin e luajtur, por nuk i është larguar sportit, pasi ushtron profesionin e fizioterapistit. Maxhuni ka një klinikë private dhe shumë sportistë, futbollistë, basketbollistë etj. Paraqiten shpesh në klinikën e tij private për të kryer fazat e tyre riaftësuese pas dëmtimeve, apo për të marrë këshilla të ndryshme. Arbanisi ka dhënë së fundmi një intervistë për “Sportal.al”, ku flet për dëmtimet e lojtarëve, nga vijnë ato dhe sa ndikojnë fushat me bar sintetik në dëmtimet e tyre. Në fund ka edhe këshilla, … falas.

Arbanis, futbolli është i lidhur me profesionin tuaj si fizioterapeut. Besoj keni shumë raste ku futbollistët paraqitet pranë jush…

Kam pasur fatin që edhe vetë të isha futbollist dhe kjo gjë më ka mundësuar që të njoh shumë sportistët. Krahas këssaj, duke u njohur më shumë me problemet e tyre, edhe rehabilitimet kanë qenë më të lehta për mua. Kam shumë sportistë që trajtoj. Veç atyre nga Kosova dhe Shqipëria, kam filluar të trajtoj edhe nga Maqedonia dhe vendet e tjera të rajonit. Fizioterapia është e lidhur ngushtë me futbollin, pasi të gjitha lëndimet menjëherë duhen trajtuar dhe rehabilituar. Koha është shumë e vlefshme për sportistin.

Cilat janë problemet më të shumta që ato kanë?

Problemet janë të natyrave të ndryshme, ato varen edhe nga sporti që bëjnë ata. Lëndimet më të shpeshta në futboll janë zgjatjet e muskujve, pastaj lëndimet e gjurit, përdredhjet e nyjeve apo të kaviljes. Tek hendbollistët kemi dëmtime kryesisht në regjionin e sipërm të trupit. Në basketboll kemi lëndime të kaviljes, të gjurit dhe luksacione të nyjës së supit etj.

Arbanis Maxhuni dhe portieri Arion Ymeri
Arbanis Maxhuni dhe portieri Arion Ymeri

Në Shqipëri më së shumti stërviten në fusha me bar artificial. Sa ndikojnë fusha të tilla në rritjen e mundësive për t’u dëmtuar?

Fushat artificiale duhen shikuar së pari se cilës kategori i takojnë, duke e ditur që kohët e fundit janë shtuar lëndimet e ligamentit të përparmë apo ACL, e në lëndimet e tyre kanë ndikuar këto lloj fushash. Ato ndikojnë edhe në sistemin e frymëmarrjes, për shkak të pluhurit që lëshohet nga goma dhe sportistët ndihen më të lodhur. Ndikojnë gjithashtu edhe në rritjen e temperaturës trupore, gjë që çon në lirimin e tepërt te djersës dhe humbjen e energjisë te sportistët.

Më së shumti nga vijnë dëmtimet e futbollistëve?

Lëndimet e futbollistëve vijnë nga faktori i jashtëm, që është kundërshtari apo terreni joadekuat i balancimit. Pastaj ndikojnë edhe reshjet atmosferike dhe faktori i brendshëm: sëmundjet në organizëm që mund të ndodhin vetvetiu, apo problemet e ndryshme në organizëm.

Ju si specialist i fushës, çfarë do t’u këshilloni atyre?

Ne shpeshherë i rekomandojmë sportistët që gjatë aktiviteteve sportive, por edhe jashtë tyre, që gjëja kryesore është ushqimi adekuat, pastaj ushtrimet individuale në forcimin e muskulaturës, gjumi i rregullt, duke ditur që pushimi ndikon pozitivisht në mirëmbajtjen fizike dhe psikike të tyre. Këshillohen zgjatjet e muskujve gjatë aktiviteteve fizike, si dhe pirja e ujit çdo 25 minuta gjatë aktiviteteve sportive në temperatura të larta. Ndërprerja e aktivitetit sportiv në qoftë se ndjen dhimbje, si dhe së paku një këshillë ose vizitë tek një fizioterapist apo mjek sportiv, pasi ai është i lidhur ngushtë me ta.

 Maxhuni me Lindrit Fetahun, hendbollist i përfaqësuese së Kosovës
Maxhuni me Lindrit Fetahun, hendbollist i përfaqësuese së Kosovës
Share: